Sipas AKP-së, blerësi i “MIM Goleshi” nuk i ka përmbushur zotimet

Agjencia Kosovare e Privatizimit reagoi ashpër ndaj deklaratave të kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, të bëra dje pas kthimit të ndërmarrjes “MIM Goleshi” nën administrim të AKP-së. Blerësi i ndërmarrjes në fjalë nuk i ka përmbushur zotimet për investime e as për numër të punëtorëve, thotë AKP-ja.

Lajme

28/10/2014 18:42

Agjencia Kosovare e Privatizimit i vlerëson deklaratat e kreut të AKB-së, Agim Shahini si të njëanshme, të pabaza dhe që dezinformojnë opinionin publik në dëm të imazhit të AKP-së.

Është e habitshme se si Shahini del në mbrojtje të ish-blerësit të ndërmarrjes “Miniera & Industria e Magnezitit Golesh”, i cili e ka shkelur kontratën e shitblerjes, ndërsa akuzon AKP-në që ka vepruar në përputhje me obligimet ligjore.

“MIM Goleshi” ishte privatizuar përmes metodës ‘Spin-off special’ në fund të vitit 2007, me çmim mbi 800 mijë euro, si dhe me obligim për investime prej mbi 16 milionë eurosh gjatë periudhës dyvjeçare.

Blerësi është zotuar se do t’i punësojë 40 vetë në gjashtë muajt e parë, afro 180 në fund të gjashtë muajve, 355 deri në fund të vitit të parë dhe 355 punëmarrës të mbahen edhe për një vit.

AKP thotë se i ka bërë dy auditime në këtë ndërmarrje. Nga auditimi i parë për periudhën dyvjeçare ka rezultuar se ish-blerësi ka realizuar vetëm 0.7 % të investimeve, ndërsa ka përmbushur zotimin për punësim vetëm 21%.

Ndërkaq, auditimi i dytë për periudhën pesëvjeçare ka nxjerrë këto rezultate: nga mbi 16 milionë euro investime të zotuara, ish-blerësi ka prezantuar investime në afro 7 milionë euro, apo 41 %. Në realitet, investime të dëshmuara me pagesë janë në vlerë prej 330 mijë euro, apo vetëm 2%. Ndërkaq, zotimi për punësim është përmbushur vetëm 13%.

AKP thotë se në afatin sa më të shpejtë do të shqyrtojë mundësinë e funksionalizimit të saj.