Sipas Ahmet Isufit, siguria në vend është e brishtë

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi konsideron se siguria në Kosovë është e brishtë. Për këtë ai përmend ndërhyrjen e Serbisë në veri dhe mungesën e disa ligjeve.

Lajme

16/10/2014 22:42

Ahmet Isufi thotë se Kosova po përballet me situatë të brishtë sigurie. Në favor të kësaj teze ai përmendi mungesën e miratimit të disa ligjeve dhe ndërhyrjet e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës.

Isufi tha se Kosova nuk është shtet stabil edhe shkaku i ngërçit aktual politik.

“Konsideroj se ka siguri të brishtë, për shkak se ne nuk kemi ende Kuvend qe katër muaj dhe për shkak të mos aprovimit të disa ligjeve me rëndësi strategjike, siç është Ligji për Përgjimet Elektronike, Ligji për Forcat e Armatosura të Kosovës”, tha ai në televizionin “Rrokum”.

Sipas Isufit, një shtet i konsoliduar mirë me institucione vitale kujdeset për sigurinë e brendshme të qytetarëve dhe të territorit.