Sindikata e shërbyesve civilë kërkon zbatimin e Ligjit për Pagat

Federata e Sindikatave të Shërbyesve Civilë në Republikën e Kosovës ka konstatuar se ka nevojë për reforma në shërbimin civil.

Lajme

27/05/2016 15:59

Në një komunikatë për media, FSSHCRK ka bërë të ditur se kërkon nga Qeveria e Kosovës të fillojë të zbatojë Ligjin për Pagat e Nëpunësve Civilë, pasi që ky ligj ka kohë që është miratuar dhe se është dashur të fillojë së zbatuari vite më parë.

“Ky ligj është neglizhuar tej mase deri më tani nga institucionet e Kosovës dhe tashmë FSSHCRK-ja do të kërkojë me ngulm që të fillojë së zbatuari, sepse ka krijuar pakënaqësi dhe revoltë tek shërbyesit civilë në përgjithësi për mos zbatimin e tij”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se profesionalizmi në administratën e institucioneve të Kosovës mund të bëhet nëse vërtet do të zbatohen normat ligjore për të profesionalizuar dhe për ta bërë sa më efikase administratën shtetërore.

“FSSHCRK kërkon me këmbëngulësi edhe zbatimin e Rregullores për vlerësimin e shërbyesve civilëashtu siç është e mi ratuar. Kemi raste të shkeljes së të drejtave të shërbyesve civilë në vlerësimin e fundvitit, pasi që udhëheqësit iu kanë rekomanduar drejtorëve/kryeshefave etj, që të mos i vlerësojnë zyrtarët me pikë më shumë se 3, ndërsa në rregullore thuhet se shërbyesit civilë mund të vlerësohen për punën e tyre prej pikëve 1 e deri në 5.

Ky rekomandim është shkelje e të drejtave të shërbyesve civilë dhe se këtë formë të kundërligjshme FSSHCRK-ja do ta ndalojë dhe në hollësi do ta përcjellë gjatë notimit të shërbyesve civilë. Nëse vazhdon kjo formë, FSSHCRK-ja do t’i ndërmarrë të gjitha masat sindikale në bashkëveprim me shërbyesit civilë”, thuhet më tej në komunikatë./Kp