Sindikata e RTK-së e cilëson skandaloz dhe fyes vendimin e AKP-së

Sindikata e Pavarur e RTK-së (SPRTK), ka reaguar ndaj një vendimi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit e cila ka kërkuar  nga drejtuesit e televizionit publik që brenda pesë ditë të lirojnë objektin në të cilin janë aktualisht.

Lajme

24/05/2016 09:32

Sipas SPRTK-së ky vendim është skandaloz dhe fyes ndaj Transmetuesit Publik dhe presion në misionin e tij për informim të qytetarëve

“Sindikata e Pavarur e RTK-së, reagon ashpër ndaj ultimatumit të AKP-së për dëbim me forcë të të punësuarve të RTK-së nga objekti ku ushtrojnë veprimtarinë e vet”.

“ Ky veprim skandaloz dhe fyes, ndaj Transmetuesit Publik, është  presion në misionin e tij për informim të qytetarëve, komponentë kjo themelore e çdo demokracie ne botë”.

“Është shqetësuese qe për tash e 16 vjet asnjëri nga Kuvendet dhe Qeveritë, nuk është në gjendje ta zgjidhë çështjen e pronës dhe të objektit për Transmetuesin e vetëm  Publik në vend”.

“SPRTK i drejtohet Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë që urgjentisht ta caktojnë pronën e RTK-së dhe të ndajnë fonde të mjaftueshme në mënyrë që RTK ta ketë objektin e vet, ashtu siç e kanë Kuvendi, Qeveria dhe çdo institucion tjetër publik”, thuhet në reagim.