Sindikata e Punëtorëve e RTK-së shprehen të shqetësuar për mosmiratimin e ligjit të ri

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së është e shqetësuar për mosmiratimin e ligjit të ri të RTK-së. SPERTK nuk po e kupton pse po ndodh kjo zvarritje nga ana deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Lajme

30/08/2018 10:58

Ne jemi informuar se ligji, sipas procedurave, tashmë është kthyer në Kuvend, pasi që ka kaluar më shumë se një muaj. Prandaj kërkojmë nga komisioni që urgjentisht ta dërgojë në seancë për lexim të parë meqenëse nuk ka më çka të pritet. Ligji duhet të hyjë në fuqi këtë vit, në mënyrë që nga viti i ardhshem të fillohet me parapagim.

“Të nderuar deputetë, nëse ligji i ri i RTK-së nuk miratohet, nuk do të rrimë duarkryq por do të protestojmë vazhdimisht për të drejtën e Transmetuesit Publik, të pavarur deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit të financimit dhe pronës së RTK-së. Meqenëse është në duart tuaja deputetë të nderuar, urdhëroni dhe përfundojeni këtë proces të nisur para 5 vitesh nga ju.

RTK është pronë e shtetit të Kosovës dhe është detyrë e juaja ta miratoni ligjin e jo ta mbani peng Transmetuesin Publik që 5 vite me subvencione vetëm sa për të mbijetuar. Ne si sindikatë e kemi detyrë ligjore ta mbrojmë institucionin ku punojmë në secilin rast kur rrezikohen të drejtat e punëtorëve, qoftë nga organet drejtuese të RTK por edhe nga Qeveria e Kuvendi. Dhe për këtë kemi të drejtë ligjore.

Çdo shtyerje të mëtutjeshme e shohim si përpjekje të qëllimshme për ta prolonguar zgjidhjen afatgjate të financimit të RTK-së”, thuhet në reagimin drejtuar mediave.