Sindikata dhe menaxhmenti kërkojnë miratimin e Ligjit për Trepçën

Menaxhmenti dhe Sindikata e Ndërmarrjes Trepça në Mitrovicë kanë reaguar lidhur me vendimin e Dhomës se Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës (DHPGJSK), me të cilin është refuzuar kërkesa e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për shtyrjen e afatit të takimit të parë të kreditorëve dhe zgjatjen e afatit të fundit për dorëzimin e planit të riorganizimit.

Lajme

13/01/2015 17:43

Në reagimin me shkrim thuhet se sindikata dhe menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça me asnjë çmim nuk do të lejojë zbatimin e vendimit të DHPGJS-së për tjetërsimin e aseteve të Trepçës e që janë të një rëndësie të veçantë jo vetëm për minatorët, por për tërë shtetin e Kosovës.

“Në kohën kur të gjitha institucionet qendrore të Kosovës janë të angazhuara për miratimin e ligjit për Trepçën, DHPGJS-së miraton një vendim arbitrar i cili është në kundërshtim me interesat e Trepçës, të punëtorëve të saj, me të vetmin qëllim të shkatërrimit të Trepçës. Sindikata dhe Menaxhmenti i Trepçës, një gjë të tillë nuk do ta pranojnë, do ta kundërshtojnë edhe me ndërmarrjen e masave më radikale. DHPGJS-ja miraton vendime të dëmshme për Trepçën, në momentin kur Trepça ka arritur rezultate më të mira në realizimin e prodhimit. Sindikata dhe Menaxhmenti i Trepçës kërkon nga Institucionet Qendrore të Republikës së Kosovës që urgjentisht të miratohet Ligji për Trepçën, kur dihet se Ligji për Trepçën ka kaluar në lexim të para në përbërjen e kaluar të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Sindikata dhe Menaxmenti i Trepçës besojnë fuqishëm se Ligji për Trepçën do miratohet në afat sa më të shkurtër dhe Trepça të transformohet në ndërmarrje publike. Sindikata dhe Menaxhmenti i Trepçës njofton opinionin e gjerë se ky vendim është i rrezikshëm jo vetëm për Trepçën, por edhe për gjithë ekonominë e shtetit, andaj edhe tani kërkojnë që të kemi përkrahje gjithëpërfshirëse me të vetmin qëllim të ruajtjes së Trepçës si ndërmarrje me interes nacional”, thuhet në komunikatë.