Simiq tregon se çfarë diskutuan me Apostolovan

Shefja e Zyrës së BE-së për Kosovën, Nataliya Apostolova, ka takuar deputetët e Listës Serbe.

Lajme

03/12/2018 11:30

Deputetët e Listës Serbe, të cilët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në Kuvendin e Kosovës, që 24 orë, para pak çastesh janë takuar me shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian për Kosovën, Nataliya Apostolova, shkruan lajmi.net.

Deputetët serbë në këtë takim i janë ankuar Apostolovës për vendimin e Qeverisë së Kosovës në lidhje me taksën doganore prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë, taksë kjo të cilën deputetët serbë e kanë cilësuar si kërcënim për mbijetesën e serbëve të Kosovës.

Në këtë takim, Apostolova ua ka konfirmuar deputetëve të Listës Serbe, se kërkesa e tyre për tu takuar me Komisionerin Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, është pranuar mirëpo, për shkak të agjendës dhe ndryshimit të orarit të takimeve nuk dihet nëse Hahn do të mund t’i takojë, raporton lajmi.net.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, i ka thënë Apostolovas se ata kërkojnë një takim me komisionerin Hahn, në mënyrë që ta paralajmërojnë direkt atë për vendimin e Qeverisë së Kosovës, vendim të cilin ai e quajti kërcënim të drejtpërdrejtë për serbët e Kosovës. /Lajmi.net/