Simeone krenohet me Atleticon

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone thotë se ndihet krenar me futbollistët e tij. Ai insiston se mënyra e humbjes së finales së Ligës së Kampionëve nuk meriton lot.

Sport

25/05/2014 01:22

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone ka thënë se ndihet krenar me futbollistët e tij, pavarësisht humbjes 4:1 nga Real Madrid në finalen e Ligës së Kampionëve.

Simeone dhe ekipi i tij ishte vetëm dy minuta larg triumfit pasi ishte në avantazh 1:0.

Por, Sergio Ramos e barazoi rezultatin për Realin dhe e dërgoi ndeshjen në vazhdime ku Los Blancos shënuan edhe tri herë duke e rrëmbyer trofeun. Por, Simeone thotë se mënyra e humbjes së finales nuk duhet të përcillet me lot.

“Kjo ndeshje nuk meriton lot. Tani duhet të pushojmë dhe të jemi të qetë”, deklaroi Simeone pas ndeshjes.

“Jam shumë krenar me futbollistët e mi, me njerëzit e mi, kemi garuar kundër një kundërshtari të madh”, shtoi ai.

“Real Madrid ishte më i mirë në pjesën e dytë. Ndeshja përfundon kur thotë gjyqtar, nuk kam tjetër çka të shtoj”, përfundoi Simeone.