Simeone beson ende në titull

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone insiston se skuadra e tij mbetet në garë për titull të kampionit, përkundër barazimit 2:2 në shtëpi ndaj Real Madridit mbrëmë. Pasi e gjetën veten në disavantazh në fillim, kur shënoi Karim Benzema, ‘Los Colchoneros’ u kthyen furishëm, duke shënuar dy gola me Koke e Gabi. Por, Cristiano Ronaldo…

Sport

03/03/2014 07:45

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone insiston se skuadra e tij mbetet në garë për titull të kampionit, përkundër barazimit 2:2 në shtëpi ndaj Real Madridit mbrëmë.

Pasi e gjetën veten në disavantazh në fillim, kur shënoi Karim Benzema, ‘Los Colchoneros’ u kthyen furishëm, duke shënuar dy gola me Koke e Gabi. Por, Cristiano Ronaldo nivelizoi gjithçka kur shënoi në fund.

Ky rezultat e lë Atleticon tri pikë prapa Realit, por Simeone është optimist se ekipi i tij mbetet garues serioz për titull, ndërsa ndihet krenar me paraqitjen që e bënë lojtarët e tij ndaj skuadrës së Carlo Ancelottit.

“Ajo çka çon peshë në fund është rezultati. Ekipi tregoi sot se është i ‘gjallë’, në luftën për titull. Kjo ndoshta mund t’i shqetësojë disa, por ne jemi ende aty. Tri pikë nga kreu me 12 ndeshje deri në fund, është mjaft mirë”, deklaroi 43 vjeçari pas ndeshjes.

“Ne ishim në disavantazh, por reaguam mjaft mirë. Filluam të luanim afër vijës, u bëmë presion atyre dhe krijuam raste. Në pjesën e dytë, ne ishim OK. Kishim raste, por nuk e gjetëm pasimin final për ta bërë 3:1. Ekipi bëri një punë të madhe. Jam krenar me skuadrën”, vazhdoi trajneri argjentinas.

Atletico i krijoi disa penallti tek gjyqtari Carlos Delgado. Diego Costa përfundoi në tokë në tri raste të ndara, por referi heshti. Sidoqoftë, Simeone ka refuzuar të fliste për këto raste.