Sigurimit i Kuvendit kërcënon gazetaren që po përcillte seancën
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon kërcënimin e pjesëtarit të sigurimit të Kuvendit të Kosovës ndaj gazetares Lumturie Blakaj e cila ishte duke mbuluar seancën e ditës së enjte.
Lajme
Gazetarja e RTK-së, Lumturie Blakaj ka informuar AGK-në se në kohën kur ajo po mbulonte seancën plenare të Kuvendit të Kosovës është penguar në punën e saj nga një pjesëtar i sigurimit të Kuvendit të Kosovës.
Ajo thotë se ofendimi është përcjell edhe me veprim fizik duke e nxjerrë atë dhunshëm nga salla ku qëndronin deputetët. Ajo shtoi se pjesëtari i sigurimit e ka kërcënuar verbalisht duke i thënë se nuk do të lejohet në të ardhmen që të hyjë më në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
“Përgjatë këtyre 18 viteve karrierë që përcjell Kuvendin e Kosovës, nuk jam ndjerë më e injoruar dhe më e fyer nga zyrtarët e shtetit të Kosovës”, tha Blakaj.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon ashpër kërcënimin e pjesëtarit të sigurimit të Kuvendit të Kosovës ndaj gazetares dhe kërkon që të merren masa adekuate ndaj këtij pjesëtari.
Ky është rasti i dytë që për një kohë të shkurtër kanë ndodhur kërcënime dhe sjellje arrogante nga anëtarët e sigurimit të Kuvendit të Kosovës ndaj gazetarëve që përcjellin punën e këtij institucioni.
AGK do të dërgojë letër shqetësuese tek kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe drejtori gjeneral i policisë së Kosovës që të ndërmarrin masa për të ndaluar këto sjellje të pahijshme të anëtareve të sigurimit.