Si u rrëmbye në Rashkë tregtari i tokave nga Vushtria – çfarë thotë ai tri ditë pas lirimit

Shaqir Pushkolli, një biznesmen nga Vushtrria, ishte rrëmbyer më 17 prill në Rashkë të Serbisë. Ai atje kishte shkuar për punë biznesi, kur ra në duar të një grupi kriminal që e liruan tre ditë pas.

Lajme

25/04/2018 19:04

Madje ata kërkuan “shpërblim” për lirimin e Pushkollit, në vlerë prej 100 mijë euro. Të mërkurën, Pushkolli ka folur për Gazetën Express dhe tregoi për kidnapimin e tij. Gazeta Express ka marrë informata të detajizuara për rastin edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë

Shaqir Pushkolli, biznesmen nga Kosova, u rrëmbye në Rashkë të Serbisë nga dy kriminelë serbë. Shaqiri merret me shitblerjen e tokave në Kosovë dhe në jug të Serbisë dhe atë si ndërmjetës.

Zoran J. (48) nga Kurshumlia dhe Ivan S. (43) nga Beogradi, u arrestuan në një restorant të Beogradit bashkë me partnerin afarist të Shaqir Pushkollit derisa po e merrnin “shpërblimin” për lirim. Shuma që serbët e kishin kërkuar për lirimin e kosovarit ishte 100 mijë euro.

Biznesmeni kosovar nga Vushtrria, në territorin e Rashkës, aty ku u rrëmbye, po merrej me shitblerjen e tokave.

Gazeta Express ka arritur të kontaktojë me Shaqir Pushkollin, i cili gjithashtu konfirmoi se merret me blerjen e tokave në jug të Serbisë, dhe se merret me tregtimin e tokës së serbëve edhe në Kosovë.

Mirëpo, ai refuzoi të japë detaje të tjera, pasi kjo çështje tashmë është nën hetim dhe Pushkollit iu është ndaluar të japë detaje derisa hetimet janë në proces.

“Nuk mundem me folë asgjë, por mundem të konfirmoj se të gjitha ato që u thanë në media janë të vërteta”, ka thënë ai shumë shkurt.

Arrestimi i dy serbëve në Beograd

Gazeta serbe “Novosti” ka thënë se Shaqir Pushkolli ka partnerë afaristë dhe bashkëpunëtorë nëpër Serbi, sidomos në Nish, Bujanoc, Vranjë, Kurshumli dhe vende të tjera. Madje, ata thanë se biznesmeni kosovar është i njohur shumë në këto qarqe.

Gazeta Express ka kontaktuar për këtë rast edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Kosovë. Të njëjtit kanë thënë se për rrëmbimin janë njoftuar më datë 19 prill nga Departamenti për Çështje Konsullore dhe nga një familjar i të rrëmbyerit.

“MPJ është njoftuar më datë 19.04.2018 përmes Departamentit për Çështje Konsullore për rastin e rrëmbimit të z. Shaqiri Pushkolli nga familjari i të rrëmbyerit, dhe ka përcjellë rastin përmes misioneve të saja diplomatike për komunikim zyrtar me autoritet serbe, dhe njëkohësisht palës i është udhëzuar që rasti në fjalë të hapet edhe në Policinë e Kosovës”, thuhet në përgjigjen nga MPJ.

Nga MPJ, madje konfirmuan se Shaqir Pushkolli është kthyer për në Kosovë më datë 22 prill rreth orës 02:00 pas mesnatës , përmes pikës së kalimit kufitar në Jarinje me veturën e tij.

Ditën e arrestimit të dy serbëve në Beograd, MUP’i serb ka treguar detajet e arrestimit dhe gjithçka tjetër që lidhet me këtë rast.

“Me punën e përbashkët të pjesëtarëve të njësisë për krime të rënda kriminale dhe policisë së Beogradit, Kralevës dhe Kragujevacit, është zbardhur rrëmbimi i një personi, Dyshohet se Z.J. dhe I.S. më 17 prill të këtij viti, në zonën e Rashkës kanë rrëmbyer të dëmtuarin, e kanë dërguar në një shtëpi në Arangjellovc dhe pastaj kanë kërkuar para për lirimin e tij. Policia i ka arrestuar në Beograd me rastin e pranimit të parave.”, thuhet në deklaratën e MUP’it serb.

Gjatë bastisjes së vilës së I.S, janë gjetur një revole, në karabinë e gjuetisë dhe 16 copë fishekë, kështu që ndaj tij rëndon edhe akuza për armëmbajtje pa leje.

Serbët thonë se Shaqir Pushkolli nuk është rrëmbyer për shkaqe kombësie, por motive materiale.

Sipas hetimeve të policisë në Serbi, rrëmbyesve u kishte rënë në sy biznesmeni kosovar për shkak të udhëtimeve të tij të shpeshta në Rashkë.

Sipas raportimit të mediave në Serbi, thuhet se serbët që e kidnapuan Shaqir Pushkollin e kishin planifikuar mjaft mirë rrëmbimin, duke e kontaktuar se janë të interesuar për shitblerje të tokave.

Kur Shaqiri kishte arritur në takimin e paraparë, dyshja e kishin rrëmbyer dhe e kanë mbajtur të mbyllur në një objekt në Arangjellovc. Aty, ata nga Pushkolli kishin nxjerrë informata rreth kontratave të biznesit, duke hulumtuar se nga kush mund t’i nxjerrin më lehtë paratë për lirimin e tij.

Në fund, kishin kontaktuar partnerin e tij të biznesit nga Beogradi dhe na ai kishin kërkuar 100 mijë euro nën kërcënimin se nëse nuk paguajnë, Shaqiri do ta pësojë.

Partneri i Pushkollit kishte pranuar kushtet dhe kishte caktuar takimin në një restorant të njohur në Bulevardin e Mbretit në Beograd.

Ai paralelisht kishte kontaktuar edhe policinë, ku këta të fundit e kishin shpikur planin dhe e kishin këshilluar të merrte paratë e kërkuara, në mënyrë që rrëmbyesit të kapeshin me presh në dorë.

Në këtë takim, partneri i Pushkollit ishte paraqitur me 20 mijë euro kesh, ndërsa policia i ka arrestuar rrëmbyesit me rastin e pranimit të parave.

Kriminelët, njëri nga të cilët është i njohur për policinë për shkak të veprave të ndryshme kriminale, thanë mediat në Serbi, janë dorëzuar në Prokurori dhe shpejtë pritet që lëndën e këtij rasti ta marrë Gjykata e Lartë në Beograd pasi që kërkesa për lirimin e tij, 100 mijë euro, ishte bërë në kryeqytet.

Me rastin e kidnapimit të kosovarit, 50-vjeçarit nga Vushtrria, është marrë edhe ish-drejtori i Agjencisë Ushtarake të Sigurisë VBA, Momir Stojanovic. Ai më shumë ka komentuar biznesin e Pushkollit, duke thënë se tokat e serbëve po shiten në masë të madhe.

“Në këto momente më shumë ka toka të serbëve që janë shitur sesa toka qe kane mbetur pa u shitur”, sqaron për “Novosti”, Momir Stojanoviq.

Ai ka akuzuar se në fushën e të drejtës së trashëgimisë, shfrytëzohen më shumë ligjet e Kosovës se sa ato të Serbisë, shkruan Express.

“Kur dikush vdes, trashëgimtarët janë të obliguar të vijnë në seancën gjyqësore te trashëgimisë, në mënyrë që të regjistrohen më tutje në librat posedues. Nëse vetëm njëri nga trashëgimtarët mungon, sepse çdo familje ka ndonjë anëtar në listat e tyre për arrestim, seanca shtyhet. Pas një viti, sipas këtij regjistri, automatikisht, kjo tokë ose pasuri i jepet ndonjë shqiptari ‘meritor’”, ka thënë ai.

Duke dhënë këto sqarime ai fajëson bizneset si ajo e Shaqir Pushkollit që u kidnapua javën e kaluar. Madje, ish-drejtori i Agjencisë Ushtarake të Sigurisë, tha se Pushkolli është i afërt me pushtetarët në Prishtinë, duke akuzuar se ai bashkë me avokatë serbë, përpilojnë kontrata dhe me vete marrin edhe noterët të cilët aty për aty kryejnë të gjitha ‘punët’.

“Në mënyrë identike, në Bujanoc e rrethinë janë shitur të gjitha ndërmarrjet shoqërore dhe pasuria e tyre e luajtshme dhe e paluajtshme”, thekson Stojanoviq.

Ai tha se pronarë të të gjitha këtyre tokave janë bërë shqiptarët e Kosovës. “Në të gjitha këto punë ju kanë ndihmuar avokatët serbë nga kjo anë e Serbisë, por edhe mafia. Bashkëpunimi i mafisë shqiptare e serbe do të na kushtojë shtrenjtë. Ata janë ndërmjetësues në stërshitjen e tokave serbe”, shtoi ai.