Si u arrestua Stresi brenda dhomës së hotelit, një ditë pasi i ati i tij paditi Ballën

Reperi Arkimed Lushaj, ose i njohur ndryshe me nofkën "Stresi" është arrestuar mbrëmjen e djeshme pas kontrolleve në kuadër të “Forcës së Ligjit”.

ShowBiz

18/10/2018 10:11

Gjatë kontrollit, 31 vjeçarit i janë gjetur një armë zjarri, pistoletë “Pjetro Beretta”, me 12 fishekë, që dyshohet të jetë pa lejen e autoriteteve, si dhe një sasi të vogël lënde narkotike të llojit kokainë.

Në këtë arrestim mësohet të kenë marrë pjesë Forcat Operacionale dhe ato FNSH dhe se operiacioni për ndalimin e tij nuk ishte një kontroll rutinë, por ndërhyrja është bërë pas informacioneve që po verifikoheshin prej disa ditësh.

Ndërkohë arrestimi i Stresit ka ardhur vetëm një ditë pasi babai i tij, Sali Lushaj paditi në Prokurori Taulant Ballën.

Sali Lushaj dhe Avdyl Gjokmakaj paditën në Gjykatën e Tiranës kreun e grupit të PS-së, Taulant Balla, lidhur akuzat e tij në drejtim të tyre pas publikimit nga PD të videopërgjimit të Fredi Alizotit.

Njoftimi i Policisë:

Njësia Hetimore e Task Forcës Speciale Vendore Tiranë në Departamentin e Policisë Kriminale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka bërë ët ditur se në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit bëri kapjen dhe ndalimin e shtetasit: Arkimed Lushaj, 31 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë.

Gjykata pranë Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr. 1972 datë 17. 10. 2018, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në lidhje me veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal .

Ndalimi i këtij shtetasit u bë pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me metoda speciale të hetimit që janë kryer në funksion të një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundërligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit” .

Gjatë arrestimit këtij shtetasi në ambientet e një hoteli të ndodhur në vendin e quajtur Linzë gjatë kontrollit të ushtruar i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar kokainë, një armë zjarri pistoletë e tipit “Pjetro Beretta” , si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm.

Nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e mësipërme filloi procedimi penal në gjendje të lirë në lidhje me veprën penale të “Moskallzimit të krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal ndaj shtetases P. Ç., 20 vjeçe, banuese në Tiranë.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore në lidhje me veprat penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhim të armëve shpërthyese dhe të municioneve” dhe “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” të parashikuar nga nenet 278/1 dhe 283 i Kodit Penal. /albeu.com/