Si t’ia dalim të mbajmë një jetë seksuale të kënaqshme edhe pasi kemi arritur kulmin në të 20-at apo 30-at

Ndryshimet e dëshirës seksuale gjatë ciklit jetësor janë normale, sidomos në vitet e pjekurisë.

Lifestyle

03/02/2019 09:29

Për shembull, disa njerëz besojnë në stereotipin se të moshuarit nuk kryejnë marrëdhënie seksuale; dhe me kalimin e viteve pa dyshim që marrëdhënia fizike me partnerin nuk do të jetë më si në të 20-at, por mund të jetë shumë më e kënaqshme. Për rrjedhojë, shumë individë qëndrojnë aktivë gjatë gjithë jetës.

Parashikuesi më i mirë për të ardhmen është pa dyshim shpeshtësia e marrëdhënieve seksuale gjatë kohës së rinisë. Nëse marrëdhënia seksuale ka qenë e rëndësishme dhe e qëndrueshme te të 30-at, gjasat janë që të qëndrojë ashtu dhe te të 60-at.

Pastaj, me kalimin e viteve, afërsia me partnerin mund të jetë më e rëndësishme sesa tërheqja fizike. Fillon matja e kënaqësisë së marrëdhënies në dimensionin e dashamirësisë, sigurisë dhe angazhimit, dhe jo kënaqësisë seksuale.

Pse ndryshon dëshira dhe sjellja seksuale?

Dëshirat dhe sjelljet seksuale ndryshojnë në varësi të cikleve të ndryshme të jetës. Arsyet dhe faktorët janë të ndryshëm në burra dhe gra. Burrat, kryesisht fillojnë e ndiejnë më pak dëshirë, për shkak të medikamenteve, vështirësisë së mbajtjes së ereksionit dhe një gjendjeje shëndetësore të dobët.

Ndërsa te gratë faktorët janë gjithashtu përdorimi i medikamenteve, ndryshimet hormonale të lidhura me menopauzën (gjatë së cilës ulet ndjeshëm estrogjeni, progesteroni) dhe humbja e partnerit. Ndonëse për disa, interesi seksual apo dëshira për aktivitet seksual nuk ndryshon, përsëri tendenca e individëve është që të kenë më pak aktivitet seksual me kalimin e moshës.

Disa sëmundje apo pamundësi shëndetësore, mund të të nxisin të provosh metoda dhe pozicione të tjera. Kjo mund të jetë problematike për disa, nxitëse për të tjerë.

Aspekti psikologjik i plakjes dhe seksualitetit

Nuk është surprizë që një sërë aspektesh dhe faktorësh psikologjikë që ndikojnë te çiftet gjatë rinisë, ndikojnë dhe gjatë moshës më të thyer.

Rëndësi të madhe kanë raportet ndërpersonale. Konfliktet martesore, problemet në marrëdhënie, problematikat e angazhimit, mungesa e besimit, moskoordinimi në dëshirat seksuale, mërzia, padituria e teknikave seksuale janë disa nga burimet e pakënaqësisë seksuale në çifte të të gjitha moshave, transmeton tabu.al.

Te çiftet me moshë të avancuar, faktorët e përmendur mund të amplifikohen nga pakënaqësia dhe inati i akumuluar ndër vite. Gjithashtu, mungesa e njërit prej partnerëve, pensioni, ose statusi social, problemet ekonomike, familjare dhe shëndetësore janë eksperienca të zakonshme me kalimin e viteve.

Të gjitha këto ndryshime jetësore, kontribuojnë në rritjen e stresit, depresionit apo ankthit, sidomos te gratë, të cilat martohen me partner më të mëdhenj në moshë, dhe duke parë që jetojnë më gjatë eksperimentojnë më shumë. Tradita dhe padituria rreth praktikave të vetëkënaqësisë bëjnë që personat në moshë më të pjekur (sidomos gratë) të krijojnë keqkuptime rreth masturbimit apo vetë seksit, që në shoqërinë në të cilën jetojmë, duket sikur i përket vetëm të rinjve.

Si t’ia dalim të mbajmë një jetë seksuale të kënaqshme?

Ka disa strategji ose disa metoda që duhen ndjekur gjithë jetën, që në moshë më të pjekur të jemi aktivë, si fillim nga ana shëndetësore dhe pa dyshim, edhe nga ajo seksuale.

Të qëndrosh seksualisht aktiv dhe i shëndetshëm është një prej tyre. Çfarë do të thotë kjo? Po ja, burrat që gjatë gjithë jetës së tyre kanë stimuluar vazhdimisht organin e tyre seksual, ka shumë gjasa që ta kenë më të lehtë ereksionin edhe në moshë më të avancuar.

E njëjta gjë vlen për gratë dhe aftësinë e vaginës për vetëlubrifikim. Sa më shumë të jeni masturbuar apo të keni stimuluar organin seksual, aq më e lehtë do të jetë dhënia dhe marrja e kënaqësisë edhe në moshë më të pjekur. Të masturbohesh është një akt normal i një jete seksuale të shëndetshme.

Zhvillimi i marrëdhënieve alternative dhe i afërsisë fizike pa patur akt seksual apo penetrim të mirëfilltë, është çelësi. Po, sepse një jetë e mirë seksuale përfshin shumë më tepër sesa thjesht penetrimin. Ka të bëjë më shumë me konfidencën dhe prekjen, kënaqësinë dhe besimin.

Ndonjë sëmundje apo pamundësi fizike ngushton veprimin fizik, por jo akte të tjera intime apo afrimiteti fizik. Presioni mund të largohet duke zgjeruar idenë e seksit, e cila deri tani, në shekullin në të cilin jetojmë, është e bashkëngjitur me penetrimin dhe orgazmën.

Ka një shumëllojshmëri veprimesh dhe eksperiencash fizike dhe erotike që mund të përjetohen në mungesë të penetrimit.

Këto veprime kanë të bëjnë më shumë me kënaqësinë dhe të qenët në harmoni me njëri-tjetrin. Merr kohë, qetësohu dhe shijo eksperiencën e prekjes dhe ledhatimit sensual dhe erotik. Shumë individë ndiejnë kënaqësi të madhe në ndarjen e fantazive seksuale, leximin e teksteve erotike, përqafimeve, ledhatimeve dhe puthjeve. Ndërkohë që me kalimin e viteve ndryshojnë si trupi, edhe mendja, është e rëndësishme

që këto mendime, frika apo dëshira t’i ndajmë me partnerin. Mund të ndihet turp, siklet, apo frikë, por, mundohu të kujtosh që komunikimi është çelësi i çdo raporti të kënaqshëm. Tregohu e sinqertë dhe hapu me partnerin dhe shokun/ shoqen e jetës. Përdorimi i humorit është një element i mirëpritur.