Si të ndryshohet Kuvendi i Kosovës? – Lajmi.net
Si të ndryshohet Kuvendi i Kosovës?
Autori: Blerim Shala Op-EdOpinion 9:23, 4 January 2018
Kuvendi i Kosovës është vend ku bëhet fushatë e vazhdueshme parazgjedhore, ku përdoren të gjitha mjetet e mundshme për të pamundësuar funksionimin e politikës.

Rregullat themelore politike në një demokraci parlamentare, janë të thjeshta, të qarta, lehtë të kuptueshme. Qytetari, me votën e tij të lirë, pajisë me legjitimitet përfaqësuesit e tij në Kuvendin/ Parlamentin e një shteti. Pastaj, Kuvendi, duke respektuar Kushtetutën, si dokument suprem legal të një vendi, ushtron mandatin e tij që nënkupton miratimin e ligjeve, të cilat bëjnë të mundur funksionimin e një shoqërie, pastaj, mbikëqyrë punën e Qeverisë së Kosovës, gjithsesi, ofron edhe debat të mirëfilltë politik i cili duhet të mundësojë ndryshimin, për të mirë, të cilësisë së politikës në një shtet.

Kuvendi i Kosovës, veçmas prej vitit 2014 e këndej, në masë të madhe ka humbur tiparet kryesore të një institucioni që gjithkund, në demokracitë stabile, është shtylla kurrizore e politikës, është burimi kryesor i stabilitetit shoqëror, është garantues për një zhvillim normal të një vendi.

Nëse në një shoqëri të rëndomtë demokratike, zgjedhjet janë mjet për realizimin e qëllimit parësor politik, të sigurimit të legjitimitetit të pushtetit, e pastaj, kur të krijohen organet e pushtetit, pason periudha e një funksionimi të zakonshëm të një politike, ndër ne, në tri vitet e fundit, Kuvendi është vend ku ndodhë një fushatë e vazhdueshme parazgjedhore, dhe ku përdoren të gjitha mjetet e mundshme për të pamundësuar funksionimin e njëmendtë të politikës.

Përvoja e viteve të fundit me Kuvendin e Kosovës është dëshpëruese, e mërzitshme, problematike. Ky Kuvend, që prej dimrit të viteve 2014/2015, është prodhuesi kryesor i tensioneve politike, të cilat kohë pas kohe kërcënojnë, madje, stabilitetin e Kosovës.

Humbja e identitetit bazë kushtetues e Kuvendit, është shfaqur që prej atëherë e deri më sot, në katër paraqitjet e tij të cilat bashkëjetojnë sot e kësaj dite:

Së pari, Kuvendi i Kosovë u bë shesh qyteti me protesta të lloj-llojshme, me përdorimin e të gjitha mjeteve të mundshme, përfshirë këtu edhe gazin lotësjellës. Pos që si vend, si politikë, u bëmë gaz i Botës, shndërrimi i Kuvendit në fushëbetejë politike ku përdorej edhe dhuna, për muaj të tërë pati paralizuar Kuvendin, dhe pati kontestuar qëndrueshmërinë e politikës kosovare, rrjedhimisht, edhe të vetë shtetit të Kosovës.

Së dyti, Kuvendi i Kosovës, këtu duhet shtuar edhe para vitit 2014, por veçmas në tri vitet e mbrama, është ‘pajisur’ me veçoritë e një ‘Reality Show’, ku mund të flitet gjithçka, mund të ketë sjellje të gjithëfarshme, me qëllim të arritjes së një popullariteti tek masat, tek qytetarët. Protagonizmi individual i këtij lloji, nuk ka si të mos e dëmtojë politikën në Kuvendin e Kosovës.

Së treti, Kuvendi i Kosovës, ka pasë seanca të cilat e transformonin sallën parlamentare në sallë gjykatore, me prokurorë, avokatë dhe gjykatës, me verdikte që shpalleshin aty për aty, apo, edhe me Rezoluta parlamentare të cilat kishim ambicje, me përmbajtjen e tyre, për të urdhëruar gjyqësorin kosovar.

Së katërti, Kuvendi i Kosovës ka organizuar edhe seanca/ orë të ligjerimeve historike, në të cilat deputetët pretendonin të ofronin interpretimet e tyre të ngjarjeve dhe zhvillimeve më të rëndësishme të historisë së re të vendit.

Në realitet, lista e të gjitha ‘identiteteve’ të gabuara të Kuvendit të Kosovës me siguri nuk shterrohet dot me këto katër prezentimet më mbresëlënëse të tij të viteve të fundit.

Edhe përbërja aktuale e legjillativit kosovar e ka ndërmend, bazuar së paku në seancat e deritashme të tij, që prej konstituimit të këtij Kuvendi, të mbajë gjallë këtë larushi identitetesh të gabuara dhe problematike të tij, gjithnjë duke iu shmangur emrit dhe identitetit të tij themelor.

Nuk mund të pritet  (as në shoqëritë më të orgaizuara nuk ndodhë diçka e tillë), që politika parlamentare të evoluojë, në drejtimin e duhur, vet prej veti. Tek e mbrama, Kuvendi i Kosovës është reflektimi më autentik i degradimit të vazhdueshëm të politikës kosovare. Megjithatë, janë së paku disa hapa kushtetues dhe ligjorë që mund të ndërmirren, poqëse do të ketë një vullnet minimal politik, të cilët do të mund të krijonin parakushtet për ndryshimin pozitiv të kësaj politike, në Kuvendin e Kosovës.

Së pari, sistemi zgjedhor në Kosovë duhet të ndryshohet, duke kombinuar ndarjen e Kosovës në zona zgjedhore me mbylljen e listave.

Së dyti, Kuvendi duhet ta hartojë një Rregullore të re, e cila do të jetë më precize, më e qartë, sa i përket mënyrës së funksionimit të tij.

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO