Si të bisedoni me fëmijët tuaj adoleshent për seksin?

Është shumë me rëndësi që fëmijës t’i bëni me dije se ju jeni personi i parë të cilit mundet dhe duhet t’i drejtohet, nëse ka pyetje që kanë të bëjnë me seksin.

Lifestyle

24/08/2014 19:19

Kohët tregojnë se marrdhënia e seksit po nis më herët, në vitet e adoleshencës, ndaj do të ishte mirë që sa më parë dhe sa më hapur të bisedoni me ta. Sado që për ju do të jetë ndoshta e pakëndshme, duhet ta dini se ju përket pikërisht juve që të përgatisni sa më mirë fëmijën tuaj për këtë pjesë të rëndësishme të jetës.

1. Shumica e prindërve tmerrohen nga biseda me fëmijët për këtë temë, të shumtën e rasteve as që mund ta imagjinojnë e as ta përballojnë që fëmija i tyre ka pasur marrëdhënie seksuale. Biseda e hapur do t’u ndihmojë fëmijëve që të marrin informacione të drejta, të cilat do ta eliminojnë hutimin lidhur me ndjenjat që tashmë i kanë. Me hapjen rreth kësaj teme dhe me biseda të herë pas hershme, do t’u ndihmoni që të bëhen persona të pjekur dhe të përgjegjshëm seksualisht.

2. Nisjani bisedës. Bisedoni për serialet filmike, lajmet në gazeta apo TV, për shtatzënësinë në moshën e adoleshencës, për masturbimin dhe afrohuni më pas dhe tek temat vërtet të vështira, si p.sh. keqtrajtimi seksual. Në këtë mënyrë do t’i ndihmoni fëmijës tuaj që me kohë të ndihet mjaft i relaksuar dhe që sinqerisht të bisedojë me ju për seksin, transmeton Lajmi.net.

3. Duhet të dini sa dinë ata për seksin. Në të vërtetë sa dinë ata? Me siguri do t’ju befasojnë kur të mësoni se që në moshën e vogël fëmijët tashmë dinë shumë për seksin, diçka nga TV e diçka nga miqtë. Pyetjet më të shpeshta që i mundojnë të rinjtë janë të lidhura me kontraceptivët. Për vajzat nuk është gjithmonë krejtësisht e qartë se e kanë të drejtën të thonë jo, ndërkaq edhe djemtë edhe vajzat shpesh nuk e dallojnë dashurinë nga seksi.

4. Puberteti mund të jetë kohë e frikshme dhe e hutueshme për fëmijët tuaj. Trupi fillon t’u ndryshojë, duken më të rritur, qimet fillojnë t’u rriten, hormonet gjithnjë e më me vrull… Te vajzat paraqiten menstruacionet dhe u rritet gjoksi, ndërkaq te djelmoshat paraqiten ëndrra “të lagura”, dhe e gjithë kjo mund të bëhet stresuese për ta. Mirëpo, puberteti nuk ndodh brenda një nate. Bisedoni me fëmijët dhe shpjegojani se çfarë ndryshimesh i presin.

5. Thoni se, përvec respektimit të mendimit dhe të ndjenjave të të tjerëve, është po ashtu me rëndësi të respektojnë veten dhe trupin e vet. U thoni se askush nuk ka të drejtën t’i prekë pa lejen e tyre.

6. Shpjegojani qëndrimet tuaja. Me rëndësi është që me ta të bisedoni për qëndrimet vetjake morale apo religjioze. Ato ata patjetër duhet t’i respektojnë, ose së paku të kuptojnë mendimin tuaj dhe do të dinë të respektojnë.

7. Çarë duhet bërë me ndjenjat seksuale? Ndjenja e eksitimit seksual është pjesë e rritjes dhe është me rëndësi që t’u tregoni se çdo gjë është normale. Ndoshta djali juaj do të ketë ndjenjën e pakëndshme për shkak të ereksionit, apo vajza juaj do të ndihet keq për ndjenjat të cilat i përjeton. Lejojani privatësinë e cila u është e nevojshme, transmeton Lajmi.net.

8. Ju duket situatë e pakëndshme? Mos e shtyni bisedën për këtë temë për më vonë se sërish do të ndjeheni në siklet për. Ju jeni prind dhe fëmijën tuaj patjetër duhet t’a ndihmoni në këtë pjesë të jetës së tyre.

9. Kontaktet e para seksuale. Ekzistojnë shumë mënyra në të cilat fëmija juaj adoleshent mund të jetë intim dhe të shkojë deri në fund me marrëdhënien seksuale. Puthjet e para të tyre dhe prekjet e para janë me rëndësi për zhvillimin seksual, andaj shpjegojani se si mund t’i shfaqin emocionet dhe të eksperimentojnë edhe pa bërë seks.

10. Po dashuria? Mbështetja më e mirë për marrëdhënie seksuale është dashuria, natyrisht atëherë kur do të jenë të gatshëm për të. Shpjegojani se si ajo marrëdhënie e parë tërë jetën do t’u mbetet kujtimi më i mirë.

11. Është me shumë rëndësi që t’u tregoni se ajo që shokët e tyre krenohen dhë lavdërohen se e kanë bërë “atë”, nuk do të thotë se edhe ata patjetër duhet të shkojnë gjurmëve të tyre.

12. Kanë të dashurën e parë apo të dashurin? Haptazi dhe pa gjykime bisedoni për atë lidhje. Çfarë ndiejnë për atë person? A janë vetëm miq apo më shumë se miq? A kanë qenë intimë deri tani dhe sa larg kanë shkuar në lidhjen e tyre Njihuni me atë djalosh apo vajzë, ftojini në darkë… Dëshmoni fëmijës tuaj se po ju pëlqen personi në të cilin janë dashuruar.

13. Ndarjet e para të dhembshme. Pas dashurisë së parë vjen edhe ndarja e parë, e cila mund të bëhet shumë e dhimbshme për fëmijën tuaj, por gjithashtu edhe shumë e rëndësishme për marrëdhëniet e ardhshme. Bisedoni për ndjenjat e tyre dhe shpjegojani se ndonjëherë lidhjet nuk përfundojnë ashtu siç do të dëshironim. Ofroni mbështetjen tuaj, mos i sulmoni.

14. Po mbrojtja? Që nga fillimi theksojeni rëndësinë e mbrojtjes. Shpjegojani çdo gjë rreth sëmundjeve ngjitëse, pasojat e tyre dhe si të mbrohen nga to. Kjo është gjithashtu e rëndësishme qoftë kur është fjala për vajzat apo për djemtë.

15. Çfarë të bëhet nëse ndodh shtatzënësia? Qëndroni i qetë dhe bëhuni mbështetje për vajzën tuaj, apo për djalin tuaj dhe për vajzën e tij. Jepuni këshillat tuaja, por lërini që të vendosin vetë çfarë dëshirojnë të bëjnë më tutje, transmeton Lajmi.net.

16. Shumica e adoleshentëve kanë problem te hapen para prindërve dhe me bisedat për gjërat intime. Mirëpo, në të shumtën e rasteve bëhet problem vetëm nëse biseda niset tepër vonë. Nëse filloni të bisedoni haptas me ta që nga fëmijëria, do të mund të bisedoni edhe për seksin. Në rastin e tillë mos i detyroni apo mos i sulmoni, sepse nuk do të arrini asgjë. Më mirë është që t’u siguroni libra edukativ, broshura… Ndoshta do ta kenë më të lehtë të bisedonin me dikë që është ekspert për këtë gjë.