Si ta shikoni eklipsin e superhënës më 28 shtator?

Bëhuni gati për fenomenin e rrallë të dyfishtë që do të ndodh këtë fundjavë.

Fun

24/09/2015 11:25

Për herë të parë pas më shumë se 30 viteve, ju do të jeni dëshmitarë të një superhëne të kuqe dhe një eklipsi të saj.

Të dielën vonë më 27 shtator nëpër shumë vende të botës do të fillojë një fenomen hënor. Ky fenomen nuk është parë që nga viti 1982 dhe nuk do të ndodh më deri më 2033.

Disa njerëz madje besojnë se ky fenomen nuk do të ndodh më, pasi kjo ngjarje, thonë ata, sinjalizon fundin e botës, transmeton lajmi.net.

Hëna e fundit e ‘gjakut’ ndodhi gjatë Pashkëve dhe eklipsi i superhënës do të shënojë ngjarjen e katërt në një ‘tetrad’, që besohet se shënon fillimin e ngjarjeve të rëndësishme – madje edhe fundin e botës, sipas disa feve.

Kur hëna e plotë e bënë rrugëtimin e saj më të afërt me Tokën, atëherë ajo quhet superhënë. Edhe pse është 222,000 milje larg, kjo hënë do të duket më e madhe se zakonisht dhe më e ndritshme.

Më pas, kjo do të kombinohet me një eklips hënor, kur hëna kalon në pjesën më të errët të hijes së Tokës. Eklipsi i superhënës do të zgjasë 1 orë dhe 11 minuta, dhe do të shihet në Amerikë të Veriut dhe të Jugut, Evropë, Afrikë dhe në disa pjesë të Azisë Perëndimore dhe Paqësorit lindor.

Nëse ju lejon moti, ju do të mund ta shihni superhënën në mbrëmjen e 27 shtatorit, dhe eklipsin gjatë orës 02:11 të mëngjesit – 28 shtator. Hëna do të kalojë më pak se një orë në hije, duke u ndriçuar edhe njëherë gjatë orës 04:47, dhe do të jetë krejtësisht jashtë hijes së Tokës në ora 7:22.

NASA do të ofrojë një transmetim live të këtij eventi nga qendra e saj në Alabama, sapo të fillojë fenomeni. Transmetimi live është një mundësi për ata të cilët nuk do të mund ta shohin atë për shkak të kushteve të motit.

Nuk ju duhen pajisje të veçanta për ta parë këtë fenomen, por dylbitë mund të ju ndihmojnë që t’i shikoni më mirë detajet. (lajmi.net)