Si ta kuptoni që fëmija juaj është viktimë e bullizmit në shkollë, 4 rastet që nuk duhet të injoroni

Bullizmi është një dhunë e zgjatur, fizike apo psikologjike, nga një person apo grup personash, e drejtuar ndaj një personi cili nuk mund të mbrohet në atë situatë.

Lifestyle

07/01/2019 13:47

Një ndër dukuritë më problematike që po shfaqet masivisht edhe në shkollat shqiptare gjatë viteve të fundit është edhe bullizmi. Sipas ekspertëve të shëndetit, bullizëm konsiderohet ajo dukuri ku një, apo disa individë përdorin lëndimin si mënyrë për të dëmtuar vetëvlerësimin e viktimës. Bullizmi në shkollë i referohet të gjitha llojeve të bullizmit që ndodhin në ambientet e shkollës, ndërmjet moshatarëve, nga më të rriturit tek më të vegjlit, apo kundrejt mësuesve.

Bullizmi është një dhunë e zgjatur, fizike apo psikologjike, nga një person apo grup personash, e drejtuar ndaj një personi cili nuk mund të mbrohet në atë situatë. Kemi të bëjmë me një situatë ku një person përdor forcën në mënyrë të qëllimshme, me synimin për të lënduar tjetrin në mënyrë të përsëritur, është dëshirë e ndërgjegjshme për të lënduar dhe për të vendosur tjetrin nën stres. Të kuptosh se cilët janë këta individë dhe pse i zgjedhin viktimat e tyre, mund të jetë hapi i parë në parandalimin e këtyre sjelljeve. Një person përfshihet në bullizëm kur ekspozohet vazhdimisht dhe për një periudhë kohe ndaj veprimeve negative, ndaj një, apo më shumë personave. Janë një sërë formash se si mund të zhvillohet bullizmi në shkolla. Në vijim të shkrimit ju tregojmë se cilat janë format më të shpeshta se si shfaqet bullizmi në shkolla, si dhe shenjat që duhet t’ju tërheqin vëmendjen në rast se fëmija juaj është në rrezik, transmeton “Living”.

Bullizmi fizik: Përfshin të qëlluarin, shqelmat apo shkatërrimin e pronës së dikujt, ku një grup nxënësish sulmojnë një tjetër, por përgjithësisht ndodh që një nxënës më i madh, apo më i fortë dhunon një nxënës më të vogël. Bullizmi fizik nuk lidhet vetëm me dhunuesin e viktimën, por mund të ketë impakt edhe te dëshmitarët.

Bullizmi verbal: Përfshin ofendimet, talljet, të folurin racist ose si ngacmim seksual. Po ashtu, këtu përfshihet edhe kërcënimi. Viktimat e këtij lloj bullizmi mund të mos reagojnë menjëherë, por me kalimin e kohës mund ta vuajnë këtë gjë.

Bullizmi i maskuar: Zakonisht ndodh pas shpinës së viktimës dhe synon dëmtimin e reputacionit të viktimës. Gjithashtu, përfshin tregimin e historive të pakëndshme, mimikë tallëse dhe shaka të pavenda me viktimën, etj. Kjo formë është një nga format më të përdorura të bullizmit, dhe për shkak se të rriturit mund të mos kenë dijeni për ekzistencën e tij, është edhe më i vështiri për t’u kontrolluar e ndaluar.

Bullizmi elektronik: Mund të ndodhë kudo dhe në çdo kohë, falë zhvillimit të teknologjisë në shkollë dhe në shtëpi. Ky lloj bullizmi ndodh nëpërmjet mesazheve të shkruara apo në internet, dhe është shumë i vështirë të kontrollohet. Ata që ushtrojnë dhunë “të fortët”, zakonisht janë viktima të bullizmit në jetën reale dhe e drejtojnë frustrimin e tyre kundrejt viktimave, duke e fshehur privatësinë pas kompjuterit, apo telefonit. Sjellja e tyre përfshin depersonalizimin e viktimës online, duke mundësuar që të tjerët të krijojnë një përshtypje negative për ta, të përhapin thashetheme, etj.

Përjashtimi: Ndodh kur “të fortët” nxisin shokët, apo moshatarët e viktimës që ta përjashtojnë viktimën gjatë një loje, apo aktiviteti të organizuar. Duke u përjashtuar në këtë mënyrë, viktima do ta ketë të vështirë të krijojë marrëdhënie dhe mund të vuajë izolimin në të ardhmen. Mund të ndodhë edhe që “të fortët” të kërcënojnë të ngjashmit e viktimës, që nëse nuk e përjashtojnë, do të kenë edhe ata një fat të tillë.