Si ta ktheni romancën në lidhje?

Ju ka humbur romanca në lidhje? Lidhja juaj nuk e ka kënaqësinë që e kishte në fillimet e saj? Mësoni si ta riktheni romancën e humbur në lidhje.

Lifestyle

15/11/2014 22:01

Për të mbajtur ndezur zjarrin e pasionit dhe ëmbëlsinë e të qenët çift, kërkohet shumë më tepër ‘punë’ dhe përkushtim. Ja 12 mënyra të thjeshta që do ta bënin lidhjen tuaj më të bukur.

1. Shënimet. Lini pusulla dashurie në vende të fshehta dhe të papritura. Nuk ka asgjë më të bukur se dashuria spontane që lumturon tjetrin atëherë kur nuk e pret.

2. Muzika. Asgjë nuk e bashkon më shumë një çift sesa melodia e këngëve që ata pëlqejnë më së shumti. Krijoni një listë këngësh që ju pëlqejnë juve dhe partnerit/es, të cilën mund ta dëgjoni në një moment që është i përshtatshëm.

3. Bëni një veprimtari artistike së bashku. Nëse dy shpirtra nuk i afron arti, atëherë lidhja nuk është e ndërtuar mbi themelet e frymës së lirë dhe shpirtit krijues. Nëse bëni një veprimtari të përbashkët arti, do të ndiheni jo vetëm më mirë, por do t’ju lindin ide kreative të cilat mund t’i aplikoni në çift.

4. Çdo dashuri ka listën e saj të dëshirave. Për të rritur adrenalinën mes jush, bëni realitet një ëndërr të përbashkët. Mund të jetë ky një sport ekstrem ose një ngjarje tjetër, por rëndësi ka të bashkoni frymën e grupit.

5. Befasitë. Mos lejoni që asnjë ditë t’i ngjajë tjetrës. Nëse bëni çdo herë nga një gjë të re, nuk do të bini kurrë në grackën e monotonisë. Befasojeni vazhdimisht njëri-tjetrin dhe dashuria do të mbetet mes jush. Gjithashtu, mos harroni lojërat, një aktivitet fantastik për të njohur më mirë tjetrin.

6. Kërcimi romantik. Mos harroni, muzika çon në kërcim dhe kërcimi është një sekret fantastik për të afruar trupat e dy njerëzve që dashurohen. Shijoni tingujt e melodisë në krahët e njëri-tjetrit dhe ndihuni mirënjohës që nuk jeni në listën e shumtë të atyre që janë beqarë.

7. Darkat jashtë. A keni dëgjuar për shprehjen ‘dashuria vjen nga stomaku’? Ushqimi është një mënyrë e shkëlqyer për të vënë në provë shijet tuaja për të eksperimentuar me gatime ekzotike dhe të veçanta. Zbuloni vende të reja dhe kënaquni me pjatat e shefave më të mirë.

8. Dhuroni. Mos prisni ndonjë arsye të mirëfilltë për t’i dhuruar njëri-tjetrit gjërat që mendoni se do t’i pëlqenit. Dhuratat janë një mënyrë fantastike për të shprehur emocionet tuaja pa u lodhur për të gjetur fjalët.

9. Kaloni kohë veçmas. Të qenët bashkë në një lidhje është kohë e bekuar, por nëse keni disa vite të lidhur dhe dëshironi të ktheni drithërimat e fillimit, bëni mirë t’ia ndieni mungesën njëri-tjetrit. Nuk ka gjë më të ëmbël se dy të dashuruar që takohen me mall. Provojeni dhe do të funksionojë!

10. Dilni natën. Zakonisht çiftet kanë një natë të caktuar gjatë javës kur dalin për të shijuar mbrëmjen me miqtë, vetëm, në lokale, restorante, aktivitetet dhe të tjera. Problemi qëndron se me kalimin e kohës gjithçka bëhet e parashikueshme. Mos lejoni rutinën t’ju ligështojë. Një ide fantastike është të krijoni një ‘kavanoz misteresh’ ku të fusni ide nga më të ndryshmet. Më pas zgjidhni një rastësisht dhe bëjeni realitet.

11. Veshjet. Prodhuesit e rrobave kanë menduar për mënyra nga më të ndryshmet për të gëzuar çiftet, një prej tyre janë edhe veshjet e kombinuara. Me stampime mesazhesh gazmore apo thjesht ngjyrat, lidhja juaj bëhet më e dukshme dhe më e unifikuar përpara të tjerëve. Mos hezitoni ta provoni!

12. Mos jini seriozë! Dashuria është një çmenduri e zemrës, ndaj mos jini seriozë vend e pavend. Përkundrazi, silluni si fëmijë së bashku dhe lidhja do të zgjasë më shumë. Naiviteti i bën partnerët të ndihen të hapur dhe pa paragjykime mes tyre. /ikub.al