Si planifikohet punësimi i kosovarëve në “Kosovën e Re” – Pjesë nga kontrata

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka publikuar me 19 Janar kontratat komerciale për projektin e termocentralit “Kosova e Re”, projekt ky i cili parashihet të krijojë 10 mijë vende pune për kosovarë gjatë fazës së ndërtimit.

Lajme

24/01/2018 12:45

Kontratat për projektin e TC Kosova e Re, janë nënshkruar nga Qeveria e Kosovës dhe investitori “ContourGlobal”.

Sipas kësaj kontrate punësimi i qytetarëve kosovarë për Projektin Kosova e Re, duhet të bëhet në mënyrë të kujdesshme duke marrë parasysh të gjitha kërkesat për punë.

Kjo pjesë e trajnimit të kosovarëve dhe aftësimit për punë sqarohet në Marrëveshjen për Implementim, në Nenin 13, raporton Ndërtimi.info.

Kompania e cila është angazhuar projektin shumëmilionësh GenCo (ContourGlobal) duhet të bëjë përpjekje të arsyeshme komerciale që të punësojë qytetarë kosovarë duke marrë parasysh  disponueshmërinë, eksperiencën dhe aftësitë e kërkuara për punë, transmeton Ndertimi.info.

Të dyja palët, si Qeveria e Republikës së Kosovës edhe Kompania GenCo, janë të vetëdijshme se trajnimi i qytetarëve të Kosovës në zhvillimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e projektit Kosova e Re, dhe maksimizimin e transferimit të teknologjisë janë në qendër të interesit të Qeverisë së Kosovës në këtë projekt.

Duke marrë parasysh rëndësinë e projektit, kompania gjithashtu duhet të përfshijë programe të arsyeshme trajnuese siç kërkohen në drejtimin normal të biznesit, dhe duhet të kryej dorëzimin e raportit çdo vit në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik duke përshkruar me detaje trajnimin e kryer nga GenCo  dhe koston e tij.

Sipas kontratës, GenCo duhet t’i japë përparësi mallrave dhe materialeve të Kosovës për përdorim në projektin Kosova e Re nëse këto materiale kanë cilësi të barabartë ose më të mirë sesa mallrat dhe materialet që janë pjesë e tregut internacional, nëse janë të disponueshme në sasinë që ju duhet dhe nëse kanë çmime të barabarta apo më të ulëta sesa ato të mallrave dhe materialeve në tregun internacional.

Gjithashtu, GenCo duhet të njoftojë GOK për çdo tender të huaj të planifikuar ose blerje para kryerjes së një tenderi apo blerje të tillë. Nëse GOK nuk kundërshton brenda 15 ditësh pas dorëzimit të një njoftimi të tillë, atëherë GOK nuk ka më të drejtë mbi zbatimin e Seksionit 13.4./ndertimi.info/