Si mund të dobësohem pa eliminuar ëmbëlsirat?

“Dua të dobësohem por nuk i rezistoj dot ëmbëlsirave” është një nga shprehjet më të dëgjuara në zyrën time. Si i bëhet që të ketë sukses dieta pa hequr dorë nga ëmbëlsirat?

Lifestyle

11/07/2018 13:35

Opinioni se kur mban dietë nuk mund te konsumosh ëmbëlsira është i gabuar. Rënia në peshë vjen nga ulja e kalorive te konsumuara krahas atyre të shpenzuara dhe duhet të kuptojmë se asnjë ushqim nuk na shëndosh dot nëse konsumohet me masë.

Në dietologjinë bashkëkohore asnjë ushqim nuk etiketohet si “i keq” apo që të shëndosh. Qëllimi i një diete të shëndetshme dhe të suksesshme nuk është të ndalojë ushqimet dhe shijet e dashura të njerëzve por, të na mësojë se si të bëjmë zgjedhjet e duhura dhe të shëndetshme, transmeton living.al.

Pra, duhet të bëjmë të qartë se jo të gjitha ëmbëlsirat janë njësoj për sa i përket kalorive dhe përbërjes së tyre. Është shumë më ndryshe të konsumojmë p.sh., një tortë ku përvec sheqerit ka edhe margarinë (ose në rastin më të mirë gjalpë), krem qumështi, brumë me miell të bardhë e vezë dhe është ndryshe të konsumojmë një recel qershie të bërë vetë ose një gliko. Pra, zgjedhja e zgjuar që mund të bëjmë për të shijuar ëmbëlsira pa u penduar është të zgjedhim ëmbëlsira me përmbajtje te ulët sheqeri dhe yndyrnash të tipit margarinë, dhe pana – se bashku. Konsumi i ëmbëlsirave të tipit 50gr cokollatë fondente, 1 lugë recel ose liko frutash, një copëz hallvasi, një trekëndësh të vogël kek shtëpie, një kupë syltjash ose hashure, të përgatitura me pak sheqer kaf dhe qumësht pa yndyrë, një kupë të vogël akullore cokollate apo një grusht fruta të thara, janë të pranueshme 2-3 herë në jave. Por, nëse jeni duke ndjekur një program dietetik për të rënë nga pesha duhet të konsultoheni me dietologun për përfshirjen e këtyre ëmbëlsirave në meny.

“Jam i varur nga ëmbëlsirat”
Nëse pasi konsumoni një ëmbëlsirë ndjeheni i “ekzaltuar” dhe paksa i “mjegulluar” do të thotë se keni sensitivitet nga sheqeri. Kjo duhet të jetë për ju e mjaftueshme të tregoni pak më shumë kujdes në lidhje me sasinë e sheqerit dhe burimin e tij gjatë ditës.

Këshilla
1. Të ktheni sytë nga prindërit tuaj. Nëse ata janë mbipeshë dhe “qejflinj” ëmbëlsirash, duhet të kontrolloni frekuencën e konsumit të ëmbëlsirave dhe sigurisht sasinë.

2. Kur të ndjeni dëshirë të parezistueshme për të konsumuar një ëmbëlsirë, prisni vetëm 10minuta përpara se ta hamë. Kjo do t’ju na bëj të hani më pak.

3. Konsumoni një mëngjes të pasur me proteina dhe fibra bimore. Mos lejoni të kalojnë më shumë se 3 orë pa ngrënë dicka që të përmbajë edhe nje sasi të vogël proteinash si psh arrat, bajamet, kosi, buka me djathë etj.

4. Përpiquni të mos konsumoni të ëmbla me stokun bosh sepse kjo shkakton crregullime të sheqerit në gjak. Sa më shumë luhatje të ketë sheqeri në gjakun tonë aq më shumë ëmbëlsira do të kërkojmë.

5. Shija edukohet, e kemi vetë në dorë. Nëse ne fillojmë të eksplorojmë shije të reja sidomos të thartën, ka shumë gjasa që ta tradhtojmë dashurinë për të ëmblat, duhet vetëm insistuar. Sa më shpesh të provojmë një shije të re aq më shumë gjasa ka të na pëlqeje, është si me këngët të cilat duhet ti dëgjosh disa herë që të të pëlqejnë.

6. Ëmbëlsirat janë një kurth i rrezikshëm nëse nuk e kontrollojmë veten në lidhje me sasinë që konsumojmë. Por, mos harroni, asnjë ushqim nuk është “i keq”, gjithë sekreti i suksesit qëndron te masa.