Si mund ta vërejmë se jemi prekur nga diabeti

Me rastin e “Ditës botërore të diabetit”, Venera Berisha-Muharremi interniste-endokrinologe, ka folur në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK për simptomat dhe trajtimin e kësaj sëmundje.

Lifestyle

14/11/2017 09:13

Ajo ka shpjeguar se simptomat e para të diabetit janë para së gjithash etja dhe urinimi i shpeshtë, por edhe apetiti i shtuar për ushqim, ndonëse ka edhe simptoma të tjera, si dhe raste kur i prekuri nga diabeti nuk vëren këto simptoma.

“Ka raste kur njerëzit me vite të tëra nuk vërejnë se vuajnë nga diabeti dhe lajmërohen te mjeku vetëm kur paraqiten komplikime të tjera në shëndet”, tha ajo.

Berisha-Muharremi, foli edhe për diabetin gestacional (DG), i cili paraqitet te gratë shtatzëna, por ky lloj diabeti ka vlera më të vogla. Ekziston rreziku që edhe ky lloj diabeti  më vonë mund të paraqitet përsëri, diabetin gestacional paraqitet kryesisht të gratë me obezitet.

“Diabeti gestacional diagnostifikohet shumë lehtë, me një test dhe ky teste duhet që bëhet patjetër gjatë shtatzënisë, pra është e obliguar të bëhet prej javës 24 deri në javën 28 të shtatzënisë”, tha ajo.

Sipas saj, faktorët e rrezikut për diabet gestacional janë: mosha mbi 25 vjeç, mbipesha apo obeziteti, histori familjare për diabet, DG në shtatzënitë e mëparshme, probleme obstetrikale në shtatzanitë e mëparshme, fëmijë të lindur me peshë mbi 4000 gr, vlera të glicemisë mbi normë para shtatzënisë.

Shumica e të prekurve nga kjo sëmundje, sipas saj, vuajnë nga diabeti i tipt 2, por një numër i madh i të prekurve është si pasojë e obezitetit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, Ministria e Shëndetësisë, Shoqata e Endokrinologve dhe Diabetologve të Kosovës dhe në mbështetje të “AQH” sot do të shënojnë Ditën Botërore të Diabetit në të gjitha qendrat Rajonale të Kosovës: Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë.

Për këtë qëllim do të ketë aktivitete të shumta duke filluar me mbajtjen e Konferencës për shtyp, mesazhet në radio, e gjerë tek manifestimet në rrugë ku do të bëhet shpërndarja e materialeve edukativo shëndetësore për kalimtarët e rastit do të matet sasia e sheqerit në gjak./rtk