Si erdhi deri te vrasja hakmarrëse në Marmull?

Vëllai dhe axha i dy të vrarëve, Hill dhe Pal Hillit, tregon për situatën se si ka ardhur deri të hakmarrja. 

Lajme

02/08/2014 10:12

Konflikti i nisur për një copë tokë, në vitin 2004, dyshohet se ka qenë arsyeja e vrasjes se dyfishtë në fshatin Marmull të Komunës së Gjakovës, shkruan sot Koha Ditore.

Axhë e nip nga familja Hilli, Pali (14 vjeçar) dhe Hilli (45 vjeçar), mbetën të vrarë nga armë zjarri, të premten, rreth orës 9:00 të mëngjesit, rreth 1 km larg shtëpisë së tyre në Marmull. Në çastin kritik ata kishin dalë të bënin përgatitjet e fundit për kanagjeqin, i cili ishte planifikuar të fillonte pas disa orëve.

Kryefamiljari i familjes Hilli, Preni, ka deklaruar për gazetën se vrasja është bërë nga familja Arllati e po këtij fshati. Sipas Hillit, dorasi është Luz Arllati, i cili gjendet në arrati. Pren Hilli ka qenë i dënuar për nxitje të vrasjes së rëndë të një anëtari të familjes Allaku.

Pren Hilli, vëllai i Hill Hillit dhe axha i 14-vjeçarit, Palit, të vrarë, për “Kohën Ditore” ka rrëfyer për dyshimet e familjes, si dhe për lidhjet që ka me familjen Arllati. Ai pretendon se nuk kanë asnjë motiv që të vriten me familjen Arllati. Ka thënë se vëllai dhe nipi i tij ishin duke shkuar tek një kasap.

“Ata kanë qenë duke e dërguar mishin e qengjit tek kasapi për ta bërë gati për festë. Rrugës për të kasapi u kanë dalë në pritë dhe i kanë vrarë. Vrasja ka ndodhur 5-10 metra larg shtëpive të Arllatëve”, ka thënë ai. (Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Koha Ditore)