Si e ndryshoi Facebook botën për të mirë?

Para pak javësh, Mark Zuckerberg raportoi se brenda një ditë, rrjeti social Facebook u përdor nga 1 miliard individë. Brenda një dekade, ky rrjet social ka arritur të transformojë marrëdhëniet mes njerëzve, privatësinë, mënyrën se si bizneset ndërveprojnë me klientët, mënyrën e shpërndarjes së lajmeve etj.

Auto & Tek

07/09/2015 17:48

Sipas Zuckerberg, një botë ‘e lidhur’ dhe e hapur është një botë më e mirë. Ajo ndërton marrëdhënie të forta dhe një shoqëri më të mirë që reflekton vlerat tona. Por si ka qënë bota një dekadë më parë dhe si është sot? Si ka ndikuar rrjeti social më i përdorur ndonjëherë tek ne, tek bota? Në vazhdim po ju rendisim 7 mënyrat me anë të të cilave Facebook ka ndryshuar botën dhe njerëzit.

Facebook ka ndryshuar kuptimin e fjalës ‘shok’

Ndryshe nga jeta e përditshme, të humbësh një shok në Facebook nuk do të jetë aq e dhimbshme. Nga një njeri shumë i afërt me ty, ‘shok’ në Facebook merr kuptimin e dikujt që ju ndjek, ka mundësi të shohë fotot apo publikimet tuaja dhe sigurisht të bashkëbisedojë me ju. Në Facebook nuk njihet hierarkia e shoqërisë, thjesht aty janë mbledhur të gjithë njerëzit me të cilët ju keni pasur apo keni aktualisht një lloj lidhje. Kjo sigurisht që nuk do të thotë që ne i shohim ata në të njëjtën mënyrë.

Ndërkohë edhe pse fjalët ‘shpërnda’ dhe ‘pëlqej’ kanë të njëjtën kuptim, Facebook ka sjellë një tjetër këndvështrim për këto terma. Mund të themi se numri i pëlqimeve apo komenteve, është një mënyrë për të vërtetuar se sa popullor jeni ju në këtë rrjet social. Të gjithë kërkojnë sa më shumë pëlqime e komente në fotot e tyre dhe kjo i bën të ndihen mirë.

Shqetësohemi më pak për privatësinë

Facebook ka një parim: ‘Nëse nuk paguan për diçka, atëherë ti je produkti’. Facebook e implementoi këtë filozofi dhe krijoi një industri të tërë përmes saj. Përdoruesit e Facebook nuk shqetësohen shumë përsa i përket privatësisë së tyre. Pjesa më e madhe e tyre postojnë në këtë rrjet social foto të tyret, publikojnë vendodhjen apo adresën ku banojnë, jo rrallë herë dhe numrin e telefonit. Duke qënë se kaq shumë përmbajtje shpërndahet online, Facebook është shëndrruar në një platformë të dhënash ku mund të gjesh çdo informacion që kërkon.

Facebook ka hapur milion vende pune

Facebook ka krijuar një sektor më vete punësimi jo vetëm brenda zyrave të tij, por në çdo biznes apo institucion që përdorin rrjetin social për promovim apo komunikim me klientët. Tregtarët tashmë kanë kuptuar termin e markës më shumë se kurrë. Ata paguajnë shumë për të përdorur këtë rrjet social si urën e komunikimit me konsumatorët. Jo më kot të ardhurat nga reklamat e Facebook kanë shënuar shifrën 3.32 miliard dollar në vit.

Sot në botë numërohen me qindra agjensiqë shfrytëzojnë median sociale për reklamim. Ndërkohë që 30 vite më parë këto profesione as që ekzistonin. Tanimë bizneset përdorin Facebook për të reklamuar produktet e tyre, për të komunikuar me klientët ndërkohë që këta të fundit mund të japin vlersimet e tyre për çdo produkt të blerë.

Partitë politike që i kushtojnë vëmendje Facebook, fitojnë

Zgjedhjet e vitit 2015 në Mbretërinë e Bashkuar, vërtetuan dhe njëherë se sa e rëndësishme është media sociale për fushatat e tyre. Obama gjithashtu bëri një punë goxha të madhe online për promovimin e programit të tij gjatë zgjedhjeve të 2012. Rezulton se partitë që e përdorën Facebook si një mënyrë për të mbërritur tek shtetasit, dolën fitimtare. Palët shpenzuan me qindra milion dollar në Facebook në mënyrë që të tërhiqnin sa më shumë votues. Në një farë mënyrë dhe partite politike janë një lloj marke, ndaj dhe në këtë rast promovimi është tepër i rëndësishëm.

Facebook është vegla e përdorur për të organizuar ‘revolucion’

Duke qënë se rrjeti social është e vetmja mënyrë për të arritur tek sa më shumë individë, jo pak herë ai është përdorur për lajmërimin, mbledhjen e tubimeve apo protestave. Në të jo gjithçka mbetet në nivelin e një zemërimi online, por ai shëndrrohet në mbledhje dhe protesta reale në sheshet e qyteteve. Në një farë mënyre, Facebook është një mënyrë unifikimi dhe krijon një identitet kolektiv.

Facebook krijon lajmin dhe vendos cili është lajmi

71% e moshës 18-24 vjeçarë shprehen se interneti është burimi kryesor i lajmeve, sipas një studimi nga firma analitike Pew Research. Një e treta e përdoruesve të Facebook postojnë për çështje politike apo qeveritare. Shumica e individëve gjejnë në Facebook, një pjesë të mirë të gazetës që ata duhet të lexonin në mëngjes. Lajmet më të fundit publikohen në Facebook, shumë më shpejt se sa në mediat e shkruara apo televizive.

Duke parë këtë boom lajmesh, Facebook krijoi ‘Instant Articles’. Me anë të këtij funksionaliteti, mediat mund të postojnë lajmet e tyre në Facebook duke arritur kështu tek një numër më i madh lexuesish. Për më tepër, Facebook ka ndryshuar mënyrën se si gazetarët e përgatisin lajmet. Tanimë rrjeti social është shëndrruar në një burim pa të cilin gazetarët nuk mund të jetojnë.

Përdoruesit po ndryshojnë Facebook

Facebook u krijua si një mini rrjet social ku studentët e një kolegji mund të komunikonin me njëri – tjetrin. Por brenda pak vitesh ky rrjet social u bë shumë më shumë se kaq. Në vitin 2014 u raportua se 56% e përdoruesve të internetit mbi 65 vjeç kishin një llogari në Facebook.  39% e përdoruesve komunikojnë në Facebook me persona të cilët ata nuk i kanë takuar ndonjëherë. Vit pas viti Facebook ka dëshmuar se ka aftësinë për t’ju përshtatur kërkesave të konsumatorëve dhe risive në treg. Shpresojmë se kjo do të vazhdojë të ndodhë për një kohë të gjatë. (PC World Albanian)