Shumica parlamentare dhe stërkeqja e saj

Tash e gati pesë muaj vazhdimisht dëgjojmë e lexojmë për “shumicën parlamentare” dhe të drejtën e asaj shumice për të qeverisur vendin. Sigurisht që kjo mund edhe të mashtrojë një pjesë të qytetarëve, por kryesisht militantët partiakë. 

Lajme

03/11/2014 22:42

Fatkeqësisht, reforma e premtuar zgjedhore në Kosovë nuk ndodhi. Kosova mbeti një zonë e vetme zgjedhore dhe sistemi zgjedhor proporcional. Ky sistem nuk mund të reflektojë vullnetin e elektoratit në mënyrë përkatëse. Veçmas jo në Kosovë, ku gjithçka është në duart e liderëve partiake dhe ka pak demokraci brenda partive. Atë që e thonë liderët është pak a shumë fjala e fundit dhe ashtu funksionon “demokracia” brendapartiake.

Në zgjedhjet e fundit nacionale në Kosovë pati lista të hapura, por qytetarët kishin mundësi të votojnë vetëm për pesë nga kandidatët e partive politike, rëndom pesë të parët në listë, kurse aty-këtu edhe për familjarët që gjendeshin në ato lista.

Andaj, lehtësisht mund të konkludohet që deputetët e zgjedhur me këtë sistem nuk janë “deputetë të qytetarëve”, apo “të zgjedhur të popullit”,  siç rëndom dëgjojmë të thuhet me ngulm të madh nga politikanët e Bllokut. Në fakt, deputetët që sot i kemi, shumica syresh përfaqësojnë vetëm partitë e tyre politike dhe liderët e atyre partive, të cilët i kanë renditur nëpër lista zgjedhore partiake. Madje, kemi edhe raste që deputetët të cilët kanë fituar vota të mjaftueshme për t’u bërë deputetë heqin dorë nga posti i deputetit (siç është, për shembull, rasti i Dardan Sejdiut të Vetëvendosjes apo Vlora Çitakut të PDK-së).      

Edhe sistemi tjetër, ai shumicë (mazhoritar) nuk është ideal, pasi edhe ai ka të metat e veta. Kurse parakusht themelor për këtë sistem është ndarja e vendit nëpër zona elektorale, ku votuesit zgjedhin kandidatin e tyre të preferuar për deputet, duke menduar se ai do t’i përfaqësojë më së miri interesat lokale në parlament.

Meqë të dy sistemet zgjedhore kanë përparësitë dhe mangësitë e veta, në mjaft vende të botës aplikohet sistemi i kombinuar i këtyre dy sistemeve zgjedhore. Këtë kombinim sistemesh e aplikon madje edhe Shqipëria, ku ka shumë zona zgjedhore.

Problemet e tashme që po e lënë vendin pa parlament dhe qeverisje efektive duhet të shërbejnë për të ardhmen. Periudha e ardhshme e pushimi ndërmjet dy palë zgjedhjeve duhet të shfrytëzohet për një reformë të mirëfilltë elektorale, ku patjetër duhet shqyrtuar edhe mundësia e ndarjes në më shumë zona zgjedhore , si dhe mundsëia që qytetarët e një zone të caktuar të mund të votojnë për depuetët për të cuilët mendojnë se do t’i përfaqësojnë më së miri interesat e tyre në parlament. Vetëm atëherë do të mund të flasim për deputetë (së paku një pjesë e tyre) të zgjedhur nga elektorati e jo nga partitë politike dhe manipulimet me lista partiake.