‘Shumica’ e improvizuar në Kuvend – degjenerim i vullnetit të Sovranit

Shumica (sado jo e mjaftueshme për të formuar qeverinë) e dalë nga zgjedhjet demokratike, është shumicë relevante, dhe jo e kundërta - një ‘ad hock’ shumicë e cila do të krijohej në Kuvend me qëllim që t’i jepet mundesia të vihet mbi shumicën e dalë nga zgjedhjet!

Opinion

14/06/2014 15:28

Në interpretimin e tyre të Kushtetutës lidhur me temën, disa fokusohen dhe i japin përparësi një “shumice të fituar në Kuvend” duke e abroguar kështu (duke e bërë të pavlevshme) shumicën e dalë nga zgjedhjet demokratike, gjë që është në kundërshtim të plotë me vet thelbin e demokracisë, me parimin e sundimit të shumicës!

Shumica (sado jo e mjaftueshme për të formuar qeverinë) e dalë nga zgjedhjet demokratike, është shumicë relevante, dhe jo e kundërta – një ‘ad hock’ shumicë e cila do të krijohej në Kuvend me qëllim që t’i jepet mundesia të vihet mbi shumicën e dalë nga zgjedhjet!

Kjo sepse Kuvendi del nga zgjedhjet dhe jo e kundërta, Kuvendi është pjellë e nje procesi demokratik të quajtur ‘zgjedhje shumë partiake’, prandaj ‘shumica në Kuvend’ në fakt nënkupton ‘shumicën e dalë nga zgjedhjet’!

Po të vlente e kundërta, atëherë ‘shumica në Kuvend’ e interpretuar në mënyrë retrograde, si një shumicë e improvizuar për t’i shërbyer një qellimi i cili është në kundërshtim me esencën e parimit të sundimit të shumicës, një ‘shumicë’ e tillë do të dilte superiore ndaj ‘shumicës së dalë nga zgjedhjet’, gjë që do të paraqiste një ‘komplot’ specifik kundër demokracisë, një si të thush obstruim perfid i demokracisë, ‘në emër të demokracisë’.

Pra, do të paraqiste një degjenerim, thjesht një çoroditje të vet demokracisë! Do të ishte një manipulim me zgjedhje dhe me atë që quajme demokraci dhe sundim i vullnetit të shumicës të dalë nga populli votues. Rrjedhimisht Kuvendi nuk mundet, nuk e ka atë mandat nga i ashtuquajturi SOVRANI që të abrogojë vullnetin e tij, të shumicës parapakisht të dalë nga zgjedhjet demokratike.

Çdo tentim i thirrjes në ‘koalicione pas-zgjedhore’ duke iu referuar Kushtetutës, me qëllim që të mbrohet e drejta e pretenduar e partive humbëse që do të bënin një ‘shumicë’ të improvizuar në Kuvend, do të jetë një kurthë për vet ata që i qasen kësaj rruge. Kjo sepse Kushtetuta thjesht nuk i njeh koalicionet pas-zgjedhore! Vërtet, partia/koalicioni që ka marrë një shumicë relative (të pamjaftueshme për të formuar e vetme qeverinë), i lejohet që – në përpjekje e sipër për të formuar qeverinë – këtë ‘mangësi’ të vehten të provojë ta kompensojë duke negociuar me parti ‘humbëse’.

 Ky proces nuk mund të definohet si koalicion pas-zgjedhor. Nese një mandatar – perfaqsues i shumicës relative’ – në rrethin e parë të përpjekjes për të formuar qeverinë nuk ia arrin të ‘bëjë për vete’ (në numër të nevojshëm) parti ‘humbëse’, atëherë edhe në rrethin e dytë të përpjekjes rasti për të formuar qeverinë i jepet po të njëtës parti/ koalicion që ka një shumicë jo të mjaftueshme, por tani me një tjetër kandidat në rol të mandatarit.

Dhe, në rast se as në raundin e dytë partia/koalicioni që ka një shumicë jo të mjaftueshme nuk arrin të formojë qeverinë (qoftë sepse nuk i bën numrat e nevojshëm, ose i bën numrat, por nuk votohet në Kuvend, sepse qeveria përfundimist merr mandat nga votimi në Kuvend), atëherë pason përsëritja e zgjedhjeve.