Shumë tumore shkaktohen nga infeksionet

Një në gjashtë tumorë duhet t’i atribuohet ndonjë infeksioni sipas një studimi të fundit të bërë në këtë fushë. Kërkuesit e IARC (International Agency for Research on Cancer) me qendër në Lion të Francës dhe pjesë e organizatës botërore të shëndetësisë kanë gjetur se katër agjentë infektivë (Papilloma virus, Helicobacter pylori e dhe viruset B e C) janë shkaku i rreth 2 milionë tumoreve nga 12.7 milionë persona të diagnostikuar me këtë sëmundje brenda një viti.

Lifestyle

28/12/2016 00:40

Po ashtu, grupi i shkencëtarëve nënvizoi se shumë raste të kancerit mund të evitohen përmes terapive ekzistuese dhe se ekziston një diferencë e madhe në përqindjen e të prekurve nga kjo sëmundje në vendet e zhvilluara perëndimore apo në ato në zhvillim.

Në vendet më pak të zhvilluara mundësia që një infeksion të çojë në krijimin e një tumori është tri herë më e madhe (22.9%) krahasuar me atë të vendeve më të zhvilluara (7.4%), me një variacion që shkon nga 3.3% në Australi dhe Zelandën e Re deri në 32.7 për qind në Afrikën Subsahariane. Po ashtu, studimi tregoi se rreth një e treta e rasteve u takon personave nën 50 vjeç. Te gratë, tumori në qafën e mitrës përfaqëson thuaje gjysmën e të gjitha formave të regjistruara, ndërsa te meshkujt tumori i stomakut dhe ai i mëlçisë arrijnë në 80 për qind.

Sipas Catherine de Martel dhe Martyn Plummer, në krye të kërkimit “infeksionet e shkaktuara nga disa lloj virusesh, bakteresh dhe parazitësh janë një ndër shkaqet kryesore dhe më të parashikueshme të tumoreve”. Sipas asaj që thonë kërkuesit e IARC, aplikimi i terapive të njohura për parandalimin dhe kurën e infeksioneve mund të ketë një efekt thelbësor mbi impaktin e tumoreve në të gjithë botën. Për Papilloma virus apo HPV (agjenti kryesor i tumorit në qafën e mitrës) ekziston një vaksinë që u bëhet falas vajzave mes moshës 11-12-vjeçare. Një tjetër vaksinë është në gjendje të parandalojë infeksionet e HBV, virusi përgjegjës për Hepatitin B, i pranuar nga komuniteti shkencor si shkaku më i shpeshtë i tumorit të mëlçisë.

Ndërkaq, sipas ekspertëve, do të ishte e mundur të evitoheshin një pjesë e madhe e formave të neoplazive gastrike, duke luftuar infeksionin shkaktuar nga Helicobacter pylori me kombinime ilaçesh me bazë antibiotikësh. Goodarz Danari, i Harvard School of Public Medicine në Boston, ka komentuar rezultatet e studimit të IARC duke mbështetur se duke parë efikasitetin dhe koston e vaksinave kundër HBV apo HPV prioriteti, sidomos në vendet në zhvillim do të ishte ajo e vaksinimit të një numri sa më të madh të popullsisë. Vaksinat janë preparate biologjike, të cilat përgatiten nga bakteret e gjalla dhe të vdekura, ose nga helmet e tyre.

Sipas përbërjes ato mund të jenë unike, të përcaktuara vetëm për një sëmundje ngjitëse, por mund të jenë edhe të kombinuara, për dy dhe më shumë sëmundje ngjitëse.

Vaksinat janë preparate biologjike dhe për këtë nevojitet që të ruhen në ambiente të posaçme vetëm në spital, por njëkohësisht lipset ruajtja e tyre edhe gjatë transportit. Vaksinat janë të ndjeshme në temperaturë, dritë, lagështi, mjetet kimike etj. Çdo njeri që nga lindja e deri në adoleshencën e hershme merr një listë vaksinash për të parandaluar sëmundje, të cilat mund të sjellin defekte në organizëm, apo mund të shkaktojnë probleme të rënda infektive. Që në lindje, fëmijët kryejnë vaksinime dhe rivaksinime, sipas një periudhe të caktuar kohore. Vaksina e parë që marrin është BCG, e cila merret për të parandaluar tuberkulozin pastaj vazhdojnë të tjerat me radhë.