Shumë të panjohura për themelimin e FAK-ut

Vendimi i ish-kryeministrit Hashim Thaçi që të themelojë Forcat e Armatosura të Kosovës mund të mos realizohet shkaku i disa bllokimeve në politikën e brendshme dhe ndërkombëtare.

Lajme

13/01/2015 18:03

Ministri i ri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli ka thënë se transformimi i Forcës së Sigurisë në një ushtri është një proces me shumë të panjohura.

“Të jem i sinqertë me ju, unë nuk kam përgjigje për këtë. Janë disa zhvillime për të cilat unë nuk dua të jap ndonjë koment dhe kanë të bëjnë me aprovimin e FAK-ut në parlament. Sapo jam vendosur në zyrë dhe nuk kam asgjë konkrete për të thënë”, ka theksuar Demolli, transmeton Koha.net.

Qeveria e mëparshme kishte vendosur që të themelonte FAK-un pak para zgjedhjeve parlamentare, përkundër presionit të brendshëm, atij rajonal dhe ndërkombëtar që të mos e merrte këtë vendim.

I pari dhe kundërshtari kryesor i FAK është kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai vazhdimisht ka thënë se formimi i ushtrisë kosovare nuk do të ishte e pranueshme nga Serbia apo serbët në Kosovë.

Reformimi i FSK-së në një ushtri do të ishte një gjë kundër serbëve në Kosovës, ka thënë Aleksandar Vullin, ministër në qeverinë aktuale serbe.

“Kundër kujt janë duke u mbrojtur? Kosova është një territor me sigurinë më të lartë nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa formimi i ushtrisë së Kosovës do të paralajmëronte konflikte ndëretnike”, ka thënë  Vullin për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.

Për themelimin e Forcës së Armatosur të Kosovës kërkohen dy të tretat e votave në parlament, si dhe dy të tretat e votave të pakicave.