Shumë parregullsi në qeverisjen e Isës, Shpendi dërgon në prokurori 70 lëndë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka deklaruar se Komuna e Prishtinës deri më tani ka dërguar në prokurori mbi 70 lëndë për çështje të ndryshme, por ka shprehur brengën e tij me trajtimin e ngadaltë të tyre. 

Lajme

06/10/2014 15:26

Ahmeti ka thënë se do të ishte mirë që disa raste që janë të profilit të lartë të procedohen më tej sepse ajo veçse e forcon besimin në institucionet e drejtësisë.

I pari i Komunës së Prishtinës, në një intervistë për KosovaPress, flet edhe për Pallatin e Rinisë, sipas të cilit duhet t’i takojë komunave që e kanë ndërtuar, rrethojat që do të vazhdoj t’i heq nga ministritë, si dhe ligjin për Prishtinën.

Ai tha se në Komunën e Prishtinës ka shumë parregullsi, por të cilat sipas tij do të mundohen t’i zgjidhin, madje siç pohoi ai, detyra e tij është që të mbrojë çdo interes të Komunës së Prishtinës.

 “Janë dikund mbi 70 lëndë të cilat i kemi dërguar dhe të cilat kanë të bëjnë me çështje të ndryshme sepse ne nuk mund ta hetojmë tash. Nuk mendoj se është detyrë e imja që të gjej gjana për ish-kryetarin apo për tjetër kënd. Zyra ime është që kur gjejë parregullsi, është ta mbroj interesin publik dhe ta mbroj interesin e Komunës së Prishtinës. Në qoftë se mendoj se dikund është dëmtuar Komuna e Prishtinës, atëherë mendoj se kjo është rast për prokurorinë. Ka çështje aty edhe të prokurimit edhe të ndërtimeve pa leje edhe çështje të pronave të cilat i kemi dërguar”, ka thënë ai.

Ahmeti tha se kanë identifikuar shumë prona të cilat shfrytëzohen nga njerëz të ndryshëm dhe se për këto prona Komuna e Prishtinës nuk merr qira, madje disa prej tyre që shfrytëzohen nuk kanë as kontratë.

E i pyetur se këta uzurpues të pronave a janë njerëz të niveleve të larta, ai ka thënë se së pari duhet të kuptojnë se kush i ka uzurpuar këto prona, por se sipas tij në çështjet e ndërtimeve nuk kanë gjetur emra të profileve të larta.

I pari i Prishtinës, gjithashtu foli edhe për parregullsitë që i ka gjetur në këtë komunë, duke thënë se një ndër problemet kryesore janë pronat dhe tjetërsimi i këtyre pronave, madje këto raste kur dërgohen në prokurori kanë pak vonesa dhe se kjo po e brengos por jo që ka dyshime në këtë të fundit.

“Duhet vendimi menjëherë që ka parregullsi të procedojë te prokuroria, ata vendosin se a duhet të vazhdojë. Kemi pa, unë jam pak i brengosur me shpejtësinë me të cilën merret prokuroria me çështje”. 

“Kjo nuk do të thotë se kam dyshime në prokurori por do të ishte mirë që disa raste që është e profilit të lartë të procedohen më tej sepse ajo veçse e forcon besimin në institucionet e drejtësisë dhe neve dhe të tjerëve që duan ta luftojnë korrupsionin dhe padrejtësitë na jep kurajo se me të vërtetë kur dërgojmë diçka, procedohet ose t’na jipet përgjigje s’ka kurrfarë parregullsie, ose të na thuhet ky është veprimi që do të ndërmarrim sepse në qoftë se ne dërgojmë një land dhe presimnëntë muaj pa asnjë lajm, atëherë shfaqim dyshime se çka po ndodh”. 

Ligji për Prishtinën

Ai po ashtu foli edhe për fazën në të cilën gjendet Ligji i Prishtinës. Ai tha se ideja është që të kenë një ligj afatgjatë që vazhdon edhe pas mandatit të tij si kryetar i Prishtinës, ashtu siç e kërkon edhe Kushtetuta.

“Ligji për Prishtinën është në fazën e grupit punues të cilën e ka caktuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Ata kanë krijuar një grup punues ku janë të përfaqësuara shoqëria civile, ekspertët juridik të qeverisë dhe përfaqësuesit juridik të komunës”.

“Në këtë aspekt ata e kanë për detyrë ta përgatisin një koncept notë që e quajmë ne se është se çka duhet të përmbajë ligji i Prishtinës në aspektin e politikave dhe si do të duket që pastaj t’u jepet juristëve vetëm në përkthim në gjuhën ligjore në mënyrë që të jetë ligji gati. Unë mendoj se do të jetë një prej pesë ligjeve të para të kaluara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës i riu në qoftë se do të ketë edhe më tutje sepse ka gatishmëri nga të gjitha subjektet politike. E vetmja gjë që mund ta shtyej është ndonjë mosmarrëveshje tepër e madhe rreth përmbajtjes së ligjit”. 

Pallati i Rinisë

Ndërsa, duke folur pikërisht për Ligjin e Prishtinës, Ahmeti tha se nuk e din se si do të rregullohet çështja e Pallatit të Rinisë. Por se kërkon që kjo çështje të rregullohet për shkak që është një aset që ka vlerë financiare dhe mendohet si interes publik.

“Nuk e di se si do të rregullohet sepse Kuvendi i Kosovës do ta vendos. Unë mund të them se çka ne do të kërkojmë. Ne do të kërkojmë që Pallati i Rinisë t’i takojë komunave në shumës të cilat kanë dhënë dhe e kanë financuar ndërtimin e Pallatit të Rinisë nga vet kontributi dhe ato kanë qenë në atë kohë Prishtina natyrisht, mirëpo atëherë ka qenë edhe Kastrioti, Obiliqi, Fushë Kosova, Graqanicë me duket se ka qenë edhe Lipjani, nuk jam i sigurtë por këto të qartësohen dhe t’iu takojë këtyre komunave”.

Ahmeti, gjithashtu në këtë intervistë nuk la pa përmendur edhe çështjen e ndërtimeve pa leje ku tha se gjatë rrënimit nuk kanë pasur pengesa edhe pse ndonjëherë pronarët janë ankuar por se këto nuk kanë qenë pengesa sepse ky është ligji dhe shteti.

Ndërsa për aksionin e largimit të rrethojave, i pari i Prishtinës tha se ky aksion do të vazhdojë.

“Do të ishte mirë. Synimi jonë është. Tash mbetet që me institucionet qeveritare të vlerësojnë sepse ju e dini që kemi kërkuar nga të gjitha institucionet publike që t’i largojnë, por kemi kërkuar edhe nga policia listën e objekteve të cilat konsiderohen objekte që kanë nevojë për siguri të lartë, për shembull në ambasada nuk mujm t’i largojmë rrethojat nga ambasadat sepse janë çështje edhe të marrëveshjeve ndërshtetërore por edhe janë çështje të sigurisë”. 

“Tash në qoftë se ka gilindera dikund që veç janë vnu për të siguru parking për ministritë, ato do të largohen sepse nuk ka kuptim që të kemi rrethoja në vitin 2014, nga kush po rrezikohem do me thënë sepse japin në të gjitha bisedat me arkitektë japin ndjenjën e hapësirës së ngushtë do me thënë edhe ato doken keq, doken si burgje, si kufizime. Prandaj ne kemi filluar këtë aksion, do ta vazhdojmë”.

Ndryshe, Ahmeti tha se ideja e tyre për Komunën e Prishtinës është që të legalizojnë sa më shumë prona dhe të mos lejojnë degradimin e kryeqytetit. (Kosovapress)