Shumë kritika për Messin

Javier Mascherano mbron bashkëlojtarin e tij nga Barcelona, Lionel Messi dhe thotë se sulmuesi ballafaqohet me kritika të tepërta sa herë që zhvillon një ndeshje pa shënuar gol.

Sport

04/10/2014 10:38

Mbrojtësi i Barcelonës, Javier Mascherano ka thënë se kritikat ndaj bashkëlojtarit të tij Lionel Messi janë të tepërta dhe vetëm për shkak se ai ka vendosur një nivel të lartë.

Messi ka realizuar gjashtë gola në tetë paraqitje këtë edicion. Dhe, bashkëkombësi i tij Mascherano beson se 27-vjeçari ka ndihmuar të shkruhet historia e Barcelonës.

“Gjithçka që ka arritur Barcelona në vitet e fundit është falë futbollistëve si Messi, Iniesta dhe Xavi”, deklaroi Mascherano për “Tot Sant Cugat”.

“Ata e kanë bërë këtë skuadër një prej më të mirave në histori. Messi i ka dhënë shumë Barcelonës, por edhe Barcelona atij. Kritikat ndaj Messit, në disa raste kanë qenë të tepërta. Ne jemi mësuar me gjëra të paimagjinueshme, që vetëm ai di t’i bëjë, dhe kur nuk shënon një gol nuk nënkupton se nuk është i mirë. Është pothuajse e pamundur që ta shohim duke luajtur keq”, u shpreh ai.