Shtyrje e re e afatit për pranimin e ofertave për Brezovicën

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) njoftoi se afati për dorëzimin e ofertave/propozimeve për Projektin Zhvillimor të Qendrës Turistike të Brezovicës (PZHQTB), i paraparë më 7 korrik 2014, është zgjatur deri më 9 shtator.

Lajme

07/07/2014 17:55

Kërkesat e kompanive/konsorciumeve të parakualifikuara për PZHQTB-në për zgjatje të afatit për dorëzimin e propozimeve bazohen në nevojën e tyre për një periudhë shtesë kohore për shkak të aranzhimeve financiare që janë të domosdoshme për ekzekutimin e PZHQTB-së.

Mbi këtë bazë, Komiteti Drejtues Ndërministror (KDNM), me arsyetimin se kërkesat e kompanive/konsorciumeve të parakualifikuara për zgjatje të afatit për dorëzimin e propozimeve janë legjitime, ka marrë vendim unanim që afati i ri për dorëzimin e ofertave/propozimeve për PZHQTB të caktohet data 9 shtator 2014, transmeton Kosovapress.

Në vendimin e KDNM-së thuhet se zgjatja e afatit ua mundëson ofertuesve të parakualifikuar që të finalizojnë propozimet e tyre e që rrjedhimisht do të ndikojë në rritjen e cilësisë së ofertave/propozimeve që do të përmirësojnë mjedisin konkurrues për Projektin, njëkohësisht duke mos penguar përmbushjen e objektivave të tij.

Qendra Turistike në Brezovicë është shpallur projekt me rëndësi kombëtare nga Qeveria e Kosovës dhe implementimi i këtij projekti do të ketë ndikim të konsiderueshëm pozitiv në zhvillim ekonomik të vendit.