Shtyhet seanca për mashtrimet në zgjedhjet e vitit 2010 (Video)

Gjashtë persona akuzohen për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës më 2010. Vepra e dyshuar penale pretendohet se është kryer në një qendër vendvotimi në Podujevë.

Lajme

31/05/2016 19:06

Gjykimi i Arif Zhushit, Besnik Ukës, Xhevahire Ibrahimit, Naser Jasharit, Elizabeta Shalës dhe Saranda Muhametit, të cilët akuzohen për mashtrim me vota, u shty për shkak se në seancë nuk ishte i pranishëm përfaqësuesi i KQZ-së.

Këta persona akuzohen se më 12 dhjetor 2010, gjatë mbajtjes së zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, në një qendër vendvotimi në Podujeve, kanë falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve apo votimeve.

Pasi që u pajtuan që akuza të merret si e lexuar, palët kaluan në fjalën hyrëse.

Prokurori Hivzi Bajraktaru në fjalën hyrëse propozoi që të bëhet administrimi i provave, të cilat do ta vërtetojnë fajësinë e të akuzuarve.

“Me provat që gjinden të bashkangjitura ne aktakuzë, propozoj që ne seancën e radhës të shqyrtimit gjyqësor të njëjtat të administrohen dhe ne bazë të tyre do të vërtetohet se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen”, deklaroi prokurori.

YouTube player

Ndërsa, të akuzuarit në fjalën hyrëse deklaruan se e kundërshtojnë aktakuzën dhe nuk ndihen fajtor për veprën me të cilën ngarkohen.

I akuzuari Naser Jashari propozoi që të bëhet numërimi i fletëvotimeve dhe të dihet se ku është bërë gabimi.

“Nëse numërohen fletëvotimet me siguri dihet ku është gabimi, sepse sikur kemi mundur ne me gabuar ka mund me gabuar edhe Komisioni i Auditimit”, deklaroi i akuzuari Jashari.

Ndërsa, prokurori i rastit deklaroi se e kundërshton këtë propozim.

“Unë e kundërshtoj këtë propozim pasi që aty është formuar një Komision i përberë prej disa anëtareve, të cilët e kanë bërë numërimin e votave dhe ky Komision e ka nxjerr një raport që për mua është i pakontestuar”, tha prokurori Bajraktari.

I akuzuari Besnik Uka në fjalën e tij deklaroi se nuk ka qenë në qendrën e vendvotimit për të cilën bëhet fjalë në aktakuzë. Ai tha se e kishte ndërruar qendrën me motrën e tij Nebihate Uka.

Pas këtij deklarimi, trupi gjykues pas konsultimit dhe pas shikimit te shkresave vërejti se në të gjitha procesverbalet që kanë të bëjnë me atë pikë të vendvotimit figuron nënshkrimi i Nebihate Ukës.

Prandaj, edhe prokurori propozoi që në seancën e radhës të dëgjohet e njëjta, propozim që u pranua nga trupi gjykues.

Te akuzuarit akuzohen se më 12 dhjetor 2010, gjatë mbajtjes së zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ne qendrën e vendvotimit 1824 E/05R në Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujeve kanë falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve apo votimeve.

Sipas aktakuzës, gjatë numërimit të votave të kandidatëve ata kanë hequr dhe shtuar gjithsej 795 vota.

Seanca e radhës u caktuar për më 10 qershor.