Shtyhet seanca ndaj Sami Lushtakut për arratisjen nga QKUK-ja

Seanca ku do të kundërshtohej aktakuza në rastin e ikjes nga QKUK-ja është shtyrë ngase një avokat nuk i kishte shkresat e lëndës.

Lajme

19/01/2018 10:38

Në seancën e gjykimit të Sami Lushtakut dhe 23 personave tjerë për arratisjen nga QKUK-ja, avokati Ragip Zeneli u ankua se nuk i ka shkresat e lëndës.

Kjo ishte arsyeja pse u shty kjo seancë.

Para shtyrjes së seancës, avokati Arben Qerkini kërkoi të përjashtohet si provë një dokumentacion nga Serbia, pasi tha se ai është siguruar nga një shet tjetër  duke mos u zbatuar dispozitat e Ligjit për ndihmë juridike ndërkombëtare, njofton Kallxo.com.

Qerkini nuk tregoi për çfarë prove bëhet fjalë, por prokurori Romulo Mateus tha se avokatët në këtë fazë të gjykimit kanë të drejtë vetëm ta kërkojnë vetëm hedhjen poshtë të aktakuzës.

Mateus megjithatë ia la në duar gjykatës nëse dëshiron që avokatit t’i japë afat shtese për paraqitjen e kësaj kërkese.

Në seancën e sotme mungoi Myrvete Lushtaku, gruaja e sami Lushtakut që gjithashtu është e akuzuar me arsyetimin se e ka të sëmurë një anëtar të ngushtë të familjes.

Seanca e radhës u caktua më 2 shkurt.