Shtyhet seanca e nesërme, opozita thotë se Kuvendi është bërë jofunksional

Kuvendi i Kosovës ka konfirmuar zyrtarisht se seanca e paraparë për 23 maj është shtyrë për një ditë tjetër, ndërsa për vazhdimin e saj do të dilet me njoftim të ri.

Lajme

22/05/2018 14:43

Seanca e Kuvendit e paraparë për ditën e nesërme është shtyrë.

Lajmin e ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, duke thënë se kuvendi është bërë jo funksional.

“Seanca e nesërme e Kuvendit shtyhet. Kuvendi është bërë jofunksional. Kuvendit i ka humbur kuptimi, si institucioni me i lartë i shtetit. Është urgjente funksionalizimi i institucioneve legjitime, përmes zgjedhjeve te lira e demokratike”, ka shkruar Hoti në Facebook, duke mos zbuluar arsyet e shtyrjes.

Për ditën e nesërme ka qenë e paraparë të vazhdohen punimet e seancës plenare me pikat e papërfunduara më 16, 17, 18, 20 dhe 26 prill, si dhe seancës me pikat e papërfunduara nga data 3 maj.

Ndër pikat e rendit të ditës kanë figuruar tri interpelanca për kryeministrin Ramush Haradinaj, e po ashtu edhe propozimi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti.