Shtyhet Memorandumi për Manastirin e Deçanit

Memorandumi për Manastirin e Deçanit nuk u votua nga asambleistët e Deçanit. Kryetari Rasim Selmanaj tha se AAK ka nevojë që ta analizojë akoma këtë vendim. E LDK dhe VV ende qëndrojnë të jenë kundër këtij memorandumi.

Lajme

28/02/2014 20:51

Shumë qytetarë të Komunës së Deçanit kanë protestuar të premten para dyerve të kësaj Komune për shkak të Memorandumit të Mirëkuptimit për Manastirin e Deçanit, e cila do të duhej të nënshkruhej ga asambleistët e kësaj Komune.

Memorandumi është dokument i propozuar nga Ambasada Gjermane i cili synon të gjejë zgjidhje në mes të Manastirit dhe Komunës së Deçanit për pronat e kontestuara. Me këtë dokument, 23 hektarë do të jenë nën menaxhimin e një bordi të përbërë nga Manastiri, Komuna dhe Ambasada Gjermane.

Por, pikërisht deputetët e pozitës, të cilët vetë e parashtruan këtë kërkesë, kërkuan shtyrjen e saj.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, tha për Klan Kosova se shtyrja është bërë për shkak se ky vendim duhet analizuar edhe më mirë.

“Kjo nuk ka ndodhur për faktin se edhe vetë grupi Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e ka vlerësuar se duhet pak kohë që ta analizojmë me kujdes dhe normalisht të marrin vendimin meritor sa i përket këtij memorandumi”.

Blerim Bajraktari nga LDK tha se subjekti i tij do të ishte kundër këtij Memorandumi edhe nëse sot do të futej në rend dite.

“Ishte qysh nga fillimi e ditur, ne kemi insistuar që në asnjë mënyrë të mos futet në rend dite, meqë nuk ka qenë e paraparë me rendin e rregullt. Futja e saj si pikë për ne konsiderohet e papranueshme.”

Ndërkaq, Arben Gecaj shprehi qëndrimin e Vetëvendosjes, i cili është kundër këtij memorandumi

“Qëndrimi ynë mbetet i pandryshueshëm, sepse memorandume të tilla janë të papranueshme”, tha Gecaj për Klan Kosova.