Shtyhet gjyqi i vitit 2002 për armëmbajtje pa leje

Për shkak se të akuzuarit nuk kishin angazhuar mbrojtës, trupi gjykues e shtyu seancën për më 15 maj.

Lajme

01/05/2017 10:20

Trupi gjykues konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seancës gjyqësore pasi që të akuzuarit nuk kishin angazhuar mbrojtës e që për veprën penale për të cilën akuzohen mbrojtja është e domosdoshme.

Të akuzuarit u deklaruan se nuk do të angazhojnë mbrojtës sipas detyrës zyrtare andaj trupi gjykues sipas detyrës zyrtare do t’u angazhojë mbrojtës të akuzuarve Halil Berisha dhe Naser Berisha.

Halil dhe Naser Berisha akuzohen nga Prokuroria Themelore se më 17.5.2002, rreth orës 12:00, në fshatin Godishnjak të Podujevës, në oborrin e shtëpisë së Skender Berishës, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme me kërcënime të ndërsjella i kanë vringëlluar armët dhe atë I dyshuari Halil Berisha një pistoletë të tipit, kalibrit dhe numrit të panjohur, ndërkaq i dyshuari Naser Berisha pushkën automatike AK-47, me numër serik 1314 – H-76, me tre fishekë, me ç’rast secili veç e veç kanë kryer veprën penale sipas rregullores së UNMIK-ut për autorizimin e posedimit të armëve në Kosovë.

Seanca shtyhet për datën 16.05.2017. /Kallxo.com/