Shtyhet gjykimi i rreshterit për keqpërdorim të informatës

Për shkak se mungoi avokati Hajrip Krasniqi, u shty seanca e gjykimit të rreshterit policor Nuredin Begolli.

Lajme

26/04/2017 14:52

Në çështjen penale ku akuzohet rreshteri policor Nuredin Begolli për keqpërdorim të informatës zyrtare, seanca u shty pasi që mbrojtësi i tij avokati Hajrip Krasniqi nuk ishte i pranishëm.

Rreshteri Begolli arsyetoi mospraninë e avokatit të tij, ndërsa kërkoi shtyrjene  seancës.

“Edhe pse e kam thirrur avokatin Esat Gutaj që ta zëvendësojë mbrojtësin e autorizuar Hajrip Krasniqi, i cili është i zënë me një gjykim tjetër në Ferizaj, unë mendoj se duhet të shtyhet ky shqyrtim kryesor për një ditë tjetër, pasi që mbrojtësi im ka propozuar dëgjimin e zyrtarit policor dhe sigurisht ai e din edhe qëllimin gjatë propozimit të këtij dëshmitari” , deklaroi i akuzuari Nuredin Begolli.

Në sallën e gjykimit ishte prezent edhe avokati i përgjithshëm shtetëror Heset Mazrekaj, i cili informoi gjykatën se në kuptim të Ligjit për Avokaturën Shtetërore jam i autorizuar për përfaqësim të autoriteteve publike dhe buxhetore të Republikës së Kosovës në proceduat gjyqësore.

Mazrekaj erdhi në gjykatë në bazë të ftesës e cila i ishte dërguar nga majori Çlirim Hajdini, i cili është i propozuar si dëshmitar nga mbrojtësi Hajrip Krasniqi.

Pasi që trupi gjykues konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e shqyrtimit kryesor, seancën e shtyu më 25 maj.

Rreshteri Nuredin Begolli akuzohet nga Prokuroria e Shtetit se në tetor të vitit 2015 duke punuar në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren ku kishte qasje në informacione, keqpërdori informatën zyrtare që personi tjetër të përfitojë.

Sipas aktakuzës, duke vepruar në bazë të kërkesës së qytetares A.K. gjatë bisedave telefonike nëpërmjet rrjetit viber e njofton atë për numrin e veprave penale dhe të kundërvajtjes të kryera nga Deli Hoxha.

Këto informacione që konsiderohen zyrtare më pas kanë ndikuar në prishjen e raporteve në mes të të dëmtuarit dhe qytetares A.K.

Në dhjetor të vitit të kaluar, rreshteri Begolli u deklarua i pafajshëm. /Kallxo.com/