Shtyhet dhënia me koncesion e Brezovicës

Situata para dhe pas zgjedhjeve, si dhe formimi i qeverisë së re kanë shtyrë dhënien me koncesion të kompleksit turistik në Brezovicë.

Lajme

22/06/2014 12:26

Këtë muaj ishte planifikuar të zgjidhet kompania fituese, kurse në muajin shtator të shpallej kontrata finale për koncesion.

Ministri në largim për Tregti dhe Industri, Bernard Nikaj tha për Radion Evropa e Lirë se më 7 korrik është data kur duhet të dorëzojnë ofertat kompanitë e parakualifikuara.  Përveç situatës politike, Nikaj thotë se ka qenë edhe kërkesa e kompanive të parakualifikuara për mundësinë e shtyrjes së procesit.

“Në muajin maj, para se të fillojë fushata parazgjedhore, ne kemi shtyrë afatin  për datën 7 korrik, kur duhet të dorëzohen ofertat e kompanive të parakualifikuara. Kjo shtyrje është bërë për shkak të fushatës, që të mos rrezikohet që të politizohet çështja e kompleksit \’Brezovica\’ dhe çështja e investimeve aty. Po ashtu, ka qenë edhe kërkesë e kompanive për shtyrje të mundshme dhe për këtë ne e kemi shtyrë\”, tha Nikaj.   

Pas dorëzimit të ofertave (deri më 7 korrik), fillon procesi i vlerësimit, kurse më pas nevojitet një periudhë kohore deri në shpalljen e kompanisë fituese.

Tri konsorciume dhe një kompani tashmë janë kualifikuar për marrjen me qira të kompleksit turistik \”Brezovica\”. Një konsorcium është austriako- amerikan, një bullgaro-austriak, konsorciumi tjetër është nga Franca dhe Andora, si dhe një kompani serbe.

Këto kompani, sipas autoriteteve kompetente, posedojnë kapacitete të nevojshme për të projektuar, financuar dhe ndërtuar një qendër për turizëm malor dhe rekreacion përgjatë gjithë vitit për vizitorët vendorë e të huaj.

Në anën tjetër, Zekë Çeku, udhëheqës i Kompanisë për Planifikim dhe Zhvillim të Turizmit, tha se, duke marrë parasysh situatën e krijuar politike, dhënia me koncesion e këtij kompleksi turistik mund të shtyhet prapë.

“Unë nuk pres ndonjë fillim apo ndonjë hap konkret para fillimit të vitit të ardhshëm. Në qoftë se shkon me skenarin më optimist, shpallja e fituesit mund të ndodhë në fund të vitit, por të gjitha këto, e edhe situata parazgjedhore dhe paszgjedhore do të ndikojnë në proces\”, u shpreh Çeku për REL.