Shtyhet debati parlamentar për 100 ditëshin e punës së qeverisë (Video)

Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare gjatë kësaj jave, përkatësisht ditën e enjte dhe të premte, por në asnjërën prej tyre nuk do të debatohet 100 ditëshi i punës së "Qeverisë Mustafa".

Lajme

23/03/2015 14:58

Kështu është vendosur në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit e cila zgjati pothuajse dy orë, ky kryetari, nënkryetarët dhe shefat e grupeve parlamentare vendosën që të enjten në rend dite të futen 11 pika.

Ndërkaq, në seancën plenare të së premtes, kryeministri Isa Mustafa do të paraqitet në interpelancë ku do të pyetet rreth përgjegjësive kushtetuese të Qeverisë së Kosovës, lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale.

“Do të kemi seancë plenare më 26 mars dhe me 27 mars. Më 26 mars kemi 11 pika të rendit të ditës ndërsa të premten e kemi interpelancën me kryeministrin për përgjegjësitë e tij Kushtetuese për Gjykatën Speciale”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë.

Ndërkaq, Teuta Sahatqija nga LDK gjithashtu foli pas mbledhjes së Kryesisë. Ajo tha se në dy seancat që do të mbahen këtë javë, Kryesia ka vendosur që të mos ketë debat për 100 ditëshin e Qeverisë pasi që më 25 të këtij muaji mbushen 100 ditë.

Teuta Sahatqija

Ndërkaq, për zgjatjen e mbledhjes së sotme të Kryesisë, Sahatqija thotë se është një praktikë e mirë.

“Interpelanca e kryeministrit për Gjykatën Speciale do të jetë në rend dite. Ndërsa për 100 ditëshin, ndonëse nuk është plotësuar akoma 100 ditëshi, është vendosur që kjo të mbahet në një nga seancat e ardhshme”.

“Mendoj që është një praktikë e mirë, nëse zgjatë mbledhja sepse do të thotë se ka pasur diskutime, ka pasur debat. Përndryshe është hera e parë që shtatë pjesëmarrës ishin gra dhe katër burra”.

E pyetur për Gjykatën Speciale, Sahatqija nuk e ka asnjë dyshim që koalicioni qeverisës PDK-LDK do të arrijë që ta votojë dhe ta miratoj themelimin e saj.

Ajo thotë se ky koalicion nuk e ka problemin e votave.

“Ju e dini që ky koalicion është një koalicion i cili nuk e ka problem numrin e votave. Është koalicion i dy partive më të mëdhaja dhe sa i përket gjykatës, e dimë që çështja e saj është diskutuar edhe në mandatin e kaluar dhe ka marrë miratimin. Prandaj mendojmë që duke u bazuar në votimin e kaluar dhe duke u bazuar në numrin e votave që është në këtë koalicion aktual nuk besoj që do të ketë problem të votave”, tha Sahatqija. (lajmi.net)

YouTube player