Shtrenjtohen pijet alkoolike dhe duhani në Kosovë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se çmimet gjatë vitit 2016 kanë qenë relativisht stabile. Sipas BQK-së, IÇK-ja shënoi rritje mesatare prej 0.3 për qind.

Lajme

16/05/2017 13:27

“Sa i përket komponentëve të IÇK-së, me rritje u karakterizuan çmimet e pijeve alkoolike dhe duhanit me 8.1 për qind), pasuar nga çmimet e veshmbathjes me 2.7 për qind). Në anën tjetër, rënie e çmimeve është shënuar kryesisht te rryma, gazi e lëndët tjera djegëse me 2.3 për qind si dhe shërbimet e transportit me 1.9 për qind. Me rënie prej 0.1 për qind u karakterizuan edhe çmimet e ushqimit, që përfaqësojnë rreth 33.9 për qind të shportës së konsumatorit kosovar”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë

Sipas këtij raporti indeksi i çmimeve të importit shënoi rënie vjetore prej 2.6 për qind. “Çmimet e produkteve minerale, të cilat janë kategoria kryesore e indeksit të çmimeve të importit, shënuan rënien më të lartë me 12.3 për qind, ndërsa çmimet e vajrave ushqyese shënuan rritjen më të lartë të çmimeve 5.7 për qind”, thuhet në raportin e BQK-së, raporton RTKlive.

Indeksi i çmimeve të prodhimit u karakterizua me rënie prej 0.1 për qind. “Në këtë periudhë, me rënie u karakterizuan kryesisht çmimet e prodhimit të drurit dhe mobileve. Ndërsa, me rritje të çmimeve u karakterizuan energjia elektrike, prodhimi i lëkurës, metaleve, etj, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë