Shtrenjtimi i rrymës mund të nxisë trazira

Shtrenjtimi i energjisë elektrike për 5 për qind, për të dytën herë brenda dy muajve, mund të sjellë vitin më të vështirë për qytetarët e Kosovës.

Lajme

08/08/2014 09:23

Përfaqësuesit e bizneseve dhe at atë konsumatorëve paralajmërojnë krizë sociale, për shkak se shtrenjtimi i energjisë elektrike, sipas tyre, do të pasohet me rritje zinxhirë të çmimeve të artikujve tjerë.

Selatin Kaçaniku, drejtues i organizatës “Konsumatori”, ka thënë se institucionet shtetërore janë duke luajtur me konsumatorin me këto lëvizje të çmimeve.

Ai e ka paralajmëruar Qeverinë e Kosovës se me këto ngritje të çmimeve është duke provokuar trazira sociale gjatë shtatorit, kur edhe pritet të hyjë në fuqi ky vendim.

“Xhepi i konsumatorit nuk është bunar i pafund, ku mund ta fusin dorën pafundësisht KEK-u, KEDS-I dhe KOSTT-I”, ka thënë Kaçaniku.

“Është e padrejtë që të kemi sërish shtrenjtim të energjisë elektrike edhe pse unë nuk pajtohem, se është shtrenjtuar dy herë, porse kemi pasur shtrenjtim të energjisë në dy faza.

Ylli Rugova, njëri nga organizatorët e protestave në vitin 2013, që lidheshin me faturat e fryra të muajit janar, ka paralajmëruar vitin më të vështirë për qytetarët e Kosovës.

“Pas rritjes së çmimeve të energjisë elektrike prej 4.57% në korrik, tash po pritet rritje e re prej 5% në muajin shtator. Pra në dimrin që po na prêt do të kemi rreth 10% çmime më të larta të energjisë elektrike”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

“Mos të harrojmë që nga janari po ashtu pritet që në taksat në paga të shtohen edhe 7% për sigurimet shëndetësore. Nëse shtohet edhe rritja e çmimeve të produkteve bazë që është llogaritur nga ASK-ja, i bien që nga 1 janari jeta e një qytetari në Kosovë do të jetë ndoshta më e papërballueshmja dhe më e varfra deri më tash në këto 10 vjetët e fundit.