Shtrenjtimi i ricikluar i rrymës

Selatin Kaçaniku nga Organizata “Konsumatori” e quan të “ricikluar” shtrenjtimin e energjisë elektrike. Ai thotë se e vërteta është se çdo vit ndodh e njëjta gjë, sepse vijnë në radhë tarifat dimërore. Por, sipas tij, konsumatorët nuk e kanë hetuar këtë gjë.

Lajme

24/09/2013 21:29

Rritja e tarifës së energjisë elektrike për sezonin e dimrit pritet t`u shkaktojë kokëçarje konsumatorëve. Selatin Kaçaniku nga Organizata “Konsumatori” e ka quajtur të “ricikluar” shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Zyra e Rregullatorit për Energji ka vendosur që gjatë stinës së dimrit tarifa për energji elektrike të rritet deri në 40 për qind.

Sipas tij, e njëjta gjë është duke ndodhur shpesh, por konsumatorët nuk e kanë hetuar.

“Ky është një shtrenjtim i ricikluar. Çdo vit ndodh e njëjta gjë, sepse vijnë në radhë ‘tarifat dimërore’ e që konsumatorëve në Kosovë u bie edhe më rëndë”, ka thënë Kaçaniku për lajmi.net.

“Arsyeja është se kohë më parë, pa marrëveshjen e konsumatorit, janë kyçur edhe disa tarifa, klauzola rënduese, siç është bllok-tarifa e cila në mënyrë të vrazhdët u shpreh kur u shfaq problem i njehsorëve gjatë faturimit të periodës dhjetor-janar”.

“E vërteta është se këto probleme kanë ndodhur periodikisht viteve të fundit, por që nuk është hetuar nga konsumatorët, ose ne si konsumatorë nuk ishim aq të zëshëm sa herën e fundit”.

Shtrenjtimi i vazhdueshëm i rrymës bëhet pavarësisht nivelit të ulët të pagave të kosovarëve, ndërsa premtimet për rritjen e tyre “avullohen” me përfundimin e fushatave zgjedhore.

“Rritja e pagave zakonisht tek ne në Kosovë është fryt i epsheve ose orekseve elektorale”, thotë Selatin Kaçaniku.

“Një shtet i cili nuk ka vizion të zhvillimit ekonomik, nuk ka plan, nuk ka strategji, ai natyrisht që të gjitha zgjidhjet e problemeve në ekonomi i ka ad-hoc, stihike, të paplanifikuara dhe joserioze”.

Faturat e fryra gjatë muajve janar dhe shkurt kishin nxitur protesta të qytetarëve në Prishtinë të cilat rezultuan me rishikimin e faturave nga ana e KEK’ut.