Shtohet numri i fëmijëve të prekur nga kanceri

Numri i fëmijëve të prekur me kancer është në rritje, thonë profesionistë shëndetësorë. Sipas tyre, në vitin 2008 kanë qenë të diagnostikuar 7 fëmijë të prekur me këtë sëmundje, derisa në vitin 2013 janë diagnostikuar 48 raste të reja.

Lajme

31/07/2014 12:09

Ndryshe, në vitin 2014 janë paraqitur edhe 8 raste të reja të fëmijëve të prekur me kancer. Leukemia akute, sipas profesionistëve shëndetësorë, është sëmundja më e shpeshtë te fëmijët.

Disa lloje të kësaj sëmundjeje trajtohen në Klinikën e Pediatrisë në Repartin e Hemato-onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, derisa ka lloje të caktuara që nuk mund të trajtohen. Andaj, fëmijët janë të detyruar të gjejnë shërim jashtë vendit.

Si rrjedhojë, Qeveria e Kosovës pati marrë vendim të formojë fondin prej 5.5 milionë eurosh, në mënyrë që rastet që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit, të mund të përfitojnë nga ky fond.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se për sëmundjen e leukemisë, me një milionëshin e parë të këtij fondi, është mbuluar trajtimi mjekësor i 9 rasteve të kësaj sëmundjeje, të cilat janë duke u trajtuar në spitale të Gjermanisë, Austrisë, Danimarkës dhe të Turqisë.

Derisa me datën 23 korrik 2014, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj ka marrë vendim edhe për alokimin e njëmilionëshit të dytë, pas kërkesave që për këtë ka bërë Ministria e Shëndetësisë.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë se edhe tre fëmijë të tjerë janë në pritje të alokimit të mjeteve, për të shkuar për trajtim jashtë vendit.

“Nëntë pacientë janë mbuluar deri tash nga fondi prej 5.5 milionë eurosh, i cili dedikohet për fëmijët me kancer. Ne, si ministri, kemi kompletuar edhe tri dosje të tjera dhe po presim që pasi buxheti prej njëmilionëshin e dytë të alokohet, këto raste të shkojnë jashtë vendit”, bën të ditur Hoti.

Por, ushtruesi i detyrës së drejtorit në Klinikën e Pediatrisë, Muharrem Avdiu, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga fondi prej 5.5 milionë eurosh janë duke përfituar edhe fëmijët, sëmundja e të cilëve trajtohet brenda kësaj klinike.

“Nuk do të dalin këto mjete për të gjithë fëmijët, sepse këto para do të duhej të shfrytëzoheshin vetëm për raste të rënda, me komplikime. Tash kur secili del jashtë, nuk do të mund të mbulohen të gjitha rastet”, vlerëson Avdiu.

Ndërkaq, në anën tjetër, Faik Hoti shpjegon se çdo rekomandim për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, i nënshkruar nga tre mjekë specialistë, është i vlefshëm për Ministrinë e Shëndetësisë, derisa nuk e mohon faktin se ka presione te mjekët për rekomandime edhe të panevojshme.

“Ministra e Shëndetësisë është e informuar që specialistët e Klinikës së Pediatrisë shpesh u nënshtrohen presioneve për të lëshuar rekomandime për trajtim jashtë vendit, e që mund të trajtohen në këtë klinikë. Por, Ministria pranon çdo rekomandim, i cili vjen i nënshkruar nga tre mjekë specialistë. Nëse ata thonë se X personi ka nevojë të trajtohet jashtë, për Ministrinë është valid. Por, ata duhet të veprojnë si profesionistë shëndetësorë dhe çështjen e rekomandimeve ta bazojnë në diagnoza”, shpjegon Hoti.

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë flasin se brenda vitit në botë regjistrohen rreth 10 milionë raste të reja me kancer. Supozohet se në vitin 2020, kjo rritje mund të shkojë deri në rreth 15 milionë raste të reja në nivel global. /REL/