Shtohet eksporti, bie importi i produkteve bujqësore

Bujqësia, që dikur ishte vetëm një veprimtari tradicionale, tashmë po del të jetë njëra prej veprimtarive komerciale më në rritje. Viteve të fundit është duke u cilësuar edhe si një biznes mjaft i leverdishëm. 

Lajme

17/04/2014 18:36

Në bazë të të dhënave zyrtare, nga 164 biznese me veprimtari bujqësore dhe pyjore, sa kishte në vitin 2009, është shtuar në 780, në vitin e kaluar. Për institucionin përkatës kjo shihet edhe si tregues i mirë i komercializimit dhe i orientimit të këtij sektori gjithnjë e më shumë drejt kërkesave të tregut.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj tha për KosovaPress se është rritur edhe mbulueshmëria e tregut të brendshëm me produktet vendore.

“Nëse reflektojmë në të kaluarën, shumë pak na duhet për të dalluar ndryshimin. Disa vite me herët, të gjitha hapësirat në supermarketet tona të produkteve të qumështit dhe bulmetit kanë qenë të mbushura me produkte nga importi, ndërkaq tash dominohen nga  prodhimet vendore”, thotë ai.

Sipas Behramajt, nëse analizohet struktura e shkëmbimeve tregtare, shihet se te produktet bujqësore kemi një rritje prej 100 % të eksportit, nga 17 milionë euro, sa ishte në vitin 2007, në 34 milionë euro, në vitin 2013. Edhe më inkurajuese është gjendja nëse shikohet importi i këtyre produkteve, i cili është rreth 37 % më i vogël se në vitin 2007.

“Pa kurrfarë hezitimi mund të konkludojmë se një pjesë e tregut, që në të kaluarën është mbuluar me produkte të importuara, tash është zëvendësuar dhe po mbulohet me produkte vendore”, thotë ai.

Në kuadër të lehtësirave fiskale për bujqësinë dhe përpjekjeve institucionale për të zvogëluar informalitetin në këtë sektor, tashmë është duke u zbatuar edhe pakoja e re fiskale, e cila parasheh heqjen e TVSH-së për prodhimtarinë primare bujqësore.