Shtohen përpjekjet për armëpushim në Rripin e Gazës

Autoritetet palestineze kanë njoftuar se nga një varg sulmesh ajrore të Izraelit, të hënën janë vrarë shtatë veta në Rripin e Gazës, përfshirë edhe pesë anëtarë të një familjeje.

Bota

22/07/2014 11:34

Ndërsa autoritete izraelite pohojnë se ofensiva ka për qëllim ndaljen e hedhjes së raketave të militantëve islamikë nga Rripi i Gazës, që qeveriset nga Hamasi, brenda në Izrael.

Numri i palestinezëve të vrarë prej 8 korrikut, kur ka filluar ofensiva ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, është më se 580 veta.

Zyrtarët palestinezë thonë se shumica e të vrarëve janë civilë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Prej se ka filluar ofensiva ushtarake izraelite, janë vrarë dy civilë izraelitë dhe 27 ushtarë të Izraelit.

Sulmet e sotme ajrore izraelite u bënë derisa sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon dhe sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, janë takuar mbrëmë vonë në Kajro të Egjiptit, në nisje të përpjekjeve të nivelit më të lartë diplomatik deri tash për ndaljen e konfliktit.

Derisa numri i të vrarëve palestinezë ka arritur në më tepër se 500 vetë, kanë vazhduar përpjekjet diplomatike për arritjen e armëpushimit, në konfliktin ndërmjet Izraelit dhe lëvizjes palestineze, Hamas.

Kerry, ka arritur mbrëmë vonë në rajon, me mision që të kërkoj armëpushim në konfliktin 14 ditësh, “sa më parë që të jetë e mundshme” dhe ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara do të japin një ndihmë humanitare për Rripin e Gazës, në shumë prej 47 milionë dollarësh.