Shtirja si vetëvrasje!

Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ishte marre as servilizëm, por respekt e mirënjohje që të kujtohet ndihma amerikane për shqiptarët gjatë shekullit XX. Por, atë ditë dhe sot, është shumë frikësuese shtirja e klasës sonë politike dhe mbetja pa melodi e refrenit “për miqësi të përhershme midis dy popujve”!

Opinion

08/07/2015 09:33

Presidentët amerikanë, Woodrow Wilson, Ronald Regan, George Bush, Bill Clinton dhe George W. Bush, ishin të vetëdijshëm se nga një popull i vogël siç janë shqiptarët nuk mund të nxirrnin kurrë shpërblime materiale për vendin e tyre. Por ata vendosën ta ndihmojnë Shqipërinë atëherë kur ajo ishte përpara fshirjes nga harta politike; dhe Kosovën kur ajo ishte përpara shfarosjes nga regjimi serb. Duke e njohur si popull autokton, evropianë, paqedashës, komb që ka në gjakun e tij tolerancën dhe harmoninë ndërfetare, Shtetet e Bashkuara më 1999 hynë në luftë për shqiptarët, të cilët rrezikoheshin nga asimilimi dhe shfarosja sa herë që binin nën ndikimin e Lindjes. Ishin kohë të vështira për ne – për jetë a vdekje!

Prandaj, jo vetëm më 4 korrik, por edhe çdo ditë tjetër, publikisht e në heshtje, është mirë të kujtohen vuajtjet, luftërat dhe miqtë tanë! Është mirë të kujtohen armiqtë, t’ia dimë hallin vetvetes, sidomos kur klasës sonë politike ia marrin anën soji i politikanëve që shtiren, i atyre që bëjnë sikur po punojnë; që kanë mbetur pa virtyte njerëzore; që vjedhin popullin e vet; që krekosen si gjela; hapareshën si rrugeçër; që të torturojnë e turpërojnë; që fusin veshët në tul; dhe për pushtet të lënë përgjithmonë në mjerim! Të lënë pa miq, të bëjnë të mohosh vetveten dhe të ikësh rrugëve të botës, sa më larg vendit “të këtyre sokolave”.

Po! Për një çast unë ndjehem shumë krenar kur lexoj historianin italian, Enzo Gatti, tek shkruan: “Imagjinoni se çfarë perandorie e fuqishme ishte Peranodria Ilire, luftërat e së cilës zgjatën mbi 100 vjet me Perandorinë Romake”. Kur i tjetri historian shkruan: “Imagjinoni dashurinë e shqiptarëve për gjuhën dhe kulturën e tyre, që arritën t’i ruajnë përkundër mbylljes së shkollave dhe konvertimit në islam gjatë pushtimit dhe sundimit 500 vjeçar nga Perandoria Osmane”. Pastaj kur imagjinoj betejat e Gjergj Kastriotit, lexoj veprat e Rilindësve dhe kujtoj heroizmin e Adem Jasharit! Është histori për tu mburrur çdo komb, i cili punon për të ardhmen e vet, që kujton të kaluarën, lavdinë e dhembjen, të mirë e të keqën!

Por historia edhe më frikëson! Shqiptarët kur nuk përballen me politikat ekspansioniste të popujve fqinj, shpesh vuajnë nga ekspansioni i degjeneruar i klasë së vet politike, nga veprimet ose mosveprimet e saj me rëndësi jetike për të ardhmen, si shtete dhe si komb. Dhe, vesi më i keq, i poshtër dhe më poshtërues, që shfaqet në periudha të ndryshme kohore dhe kaplon pothuajse gjithë klasën politike shqiptare, është shtirja. Kurdo që shfaqet, e ka efektin që shkakton droga. Ashtu si narkomani që shtiret se është rehabilituar, por që mund të të vras edhe familjen për “pak” drogë, ashtu ndonjëherë vepron edhe klasa jonë politike, matet të vras shoqërinë e shtetin për “pak” pushtet. I befasojmë edhe miqtë!

Një klasë e ngjashme politike si kjo e sotmja, e kishte revoltuar Gjergj Fishtën gati 100 vjet më parë. Njeriu që ia kushtoi gjithë jetën Shqipërisë, te Metamorfoza dhe Gomari i Babatasit, e përshkroi në hollësi edhe mjerimin që po kalonte populli shqiptar, destruktivitetin e klikës politike të asaj kohe, pozitë dhe opozitë, që siç thoshte Fishta, i bashkonte patriotizmi i thatë dhe zhvatja e shtetit të tyre. E dëshpëruan mjaft byrokratët e “Evropës Plakë”, por edhe më shumë e poshtëruan shqiptarët e tij. Nuk e vranë, por edhe më keq, me politikën e tyre të turpshme, e bënë që për një çast të mohojë vetveten.

T’a dijë Shqypnija/Prá, e sheklli mbarë,

Se mâ mbas sodit/Uu s’jam Shqyptár,

A ndiet, Zotni, Qi rrini m’shkam?

Un mâ me sodjet/Shqyptár nuk jam. 

Njeriu që  himnizoi Shqipërinë me Lahutën e Malcisë, me satirat e tij tregoi anën negative të klasës politike shqiptare të asaj kohe, anën e errtë të politikës që po na ndjekë edhe sot. Më pas komunistët, (një klasë edhe më e pështirë politike, idiote), me synim që t’ia shkatërronin namin që la pas vetës, ndaluan veprat e tij, “ndaluan edhe orën”, përveç vargjeve të tij, të lartpërmendura, por me rimë të ndryshuar: “Le ta dijë gjithë bota mbarë se Gjergj Fishta s’është më shqiptar!” Mirëpo veprat e mëdha si ato të Fishtës nuk vriten as nga regjimet. Edhe sot kur i lexon, i analizon, vëren se shqiptarët me shumëçka ngjajnë si te Gomari i Babatasit! Të vuajtur, të varfër e të nëpërkëmbur atëherë, e ngjashëm edhe sot e kësaj dite!

Tani jemi këtu, të izoluar, pasi të këtillë siç jemi bërë, nuk na pranon askush! Sepse korrupsioni, krimi i organizuar, varfëria dhe ektremizëmi fetar, çojnë vetëm teposhtë, tek një nga rrathët e Dantes. Derisa klasa politike shqiptare, që prej kohës kur u shfaqën këto fenomene shkatërruese për çdo shoqëri, lejoi të futen në sistem, gjithnjë duke u shtirë sikur po i lufton. Për më keq, tashti edhe ne si shoqëri kemi nisur të shtiremi, jemi bërë ekspertë, i dimë të gjitha, dhe që të gjithë, bujq, biznesmenë, mjekë, policë, mësues e punëtorë të administratës, përpiqemi disi t’ia fusim këtij e atij shteti. Dhe gjithnjë në emër të patriotizmit!

Nëse ndonjëri prej nesh, që ende e mban shpresa, që nuk shtiret, por revoltohet kundër një të keqeje, menjëherë luftohet nga hienat që dalin prej të gjitha anëve, etiketohet si “plak i çmendur”; “djalosh i papërvojë”; “spiun” e “servil”. Dhe si rrjedhojë, sot pak kush nga ne është i sigurt se kësaj rruge nga jemi nisur, mund të ketë të ardhme të sigurt në Kosovë apo Shqipëri. Mos u shtirni se s’është kështu! Sespe shumëkush prej shqiptarëve ende ëndërron ikjen në Perëndimin, por ka edhe prej atyre që tashmë i janë kthyer Mesjetës, shkojnë në Lindje, Siri dhe Irak.

Kur u bindën se klasa jonë politike, shqiptare, nuk ka moral as dinjitet, nuk mban përgjegjësi për veprimet e veta dhe popullin e saj, amerikanët ndryshuan  fjalorin. Këtë vit e pamë edhe revoltimin e dy ambasadorëve, Donald Lu dhe Tracey Ann Jacobson, që disa nuk hezitojnë t’i akuzojnë për “përzierje në punët tona të brendshme”. Ai andej, e Ajo këndej, përpiqen t’i shpëtojnë (ruajnë) shqiptarët nga më e keqja. Sepse ka edhe më keq! Janë nëntë rrathë! Sepse shtirja sikur po punon dhe përpjekja për të ngrën me dy lugë, edhe me Perëndimin edhe me Lindjen, sjellin falimentimin, sjellin ato sëmundjet nëpër të cilat po kalon Greqia, Ukraina apo edhe Siria.

Refreni “për miqësi të përhershme midis dy popujve”, mbet pa melodi! Ambasadorët kësaj radhe ishin më të drejtpërdrejtë . Si diplomatë ishte dashur të jenë më të rezervuar, të flasin “me kode diplomatike”, por kur Ai thotë se “veprimet e partive politike përbëjnë poshtërim për popullin shqiptar”, ndërsa Ajo i drejtohet klasës politike me fjalët “Mos e dhini punën”, aty s’ka më melodi. Një e keqe e madhe po ndodhë brenda nesh! Sepse duhet të jesh i/e çmendur e t’ia thuash publikisht këto fjalë një të huaji, ose duhet ta kesh fort mik të mirë dhe një ditë ia thua tamam ashtu, troç, nga zemra e plasur dhe dëshira se mbase ndryshon dhe shpëton nga katandisja që e ka kapluar.

Por është edhe më frikësuese fakti se shtirja e pafundme e klasës sonë politike tek një pjesë e jona ka nisur të fus dyshimin se mos këta ambasadorët janë të çmendur, apo mos amerikanët e kanë thjeshtë për ndonjë interes të tyre gjeopolitik e gjeostrategjik, ose mos Shtetet e Bashkuara e kanë me hile këtë qasjen kritike ndaj klasës politike shqiptare, ndaj Kosovës e Shqipërisë!? Kjo ngase ne si shoqëri nuk e kujtojmë shpesh bastardimin e politikës që prej 25 vjetësh në Shqipëri, as tjetërsimin që ka ndodhur këto 15 vjetët e pasluftës në Kosovë, në mënyrë që të mos harrohet se pa ndihmën e amerikanëve gjatë këtyre 100 vjetëve të fundi, shqiptarët do të ishin askush!

E njoh Shqipërinë, komuniste, të fajdeve e të trazirave dhe ndikimin e çështjes së Kosovës, sa për të konkluduar se tranzicioni prej një çerek shekulli është i pafalshëm për klasën e saj politike. Edhe më mirë e njoh Kosovën, të okupuar, në luftë, të pasluftës, të UNMIKU-ut dhe EULEX-it, sa për të konkluduar se janë të pafalshme gabimet e klasës sonë politike prej 15 vjetësh. E njoh Zotin në qiell dhe Amerikën në tokë, si shpërblyes të gjakut të heronjve tanë. Por unë nuk e di se deri kur klasa jonë politike do të tradhtojë vetveten, nëse do të shtiremi edhe ne si shoqëri deri në vetëvrasje, apo do të këndellemi dhe të punojnë me gjithë mend dhe me djersë, të ruajmë mikun dhe së bashku të ndërtojmë të sotmen, të jetojmë me dinjitet dhe krenarë me të kaluarën, dhe të sigurt për të ardhmen!?