Shtetin e së drejtës e ndërtojmë ne!

Fitim Selimi, kryetar i NISMËS për Lipjanin, thotë se kjo nismë do të ndërtojë shtetin e së drejtës. Në këtë kontekst, ai ka thënë se NISMA për Kosovën është shtegu i vetëm për të bërë ndryshime.

Lajme

25/03/2014 07:33

Kryetari i NISMËS për Lipjanin, Fitim Selimi, ka thënë të hënën se alternativa e vetme për ndryshime në vend është NISMA për Kosovën. Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për shtet të së drejtës dhe vendosje të disiplinës institucionale, shkruan “Epoka e Re”.

“Ligjshmëria nuk përfillet, prandaj Kosovës i duhet ndërtimi i shtetit të së drejtës, vendosja e kontrollit shtetëror mbi zhvillimet, vendosja e disiplinës institucionale e financiare, vendosja e veprimit të moralshëm e të ndershëm, vendosja e njerëzve të arsimuar në strukturat e arsimit, si dhe vendosja e njerëzve të duhur në strukturat e shëndetësisë.

Në një intervistë dhënë kësaj gazete, Selimi ka bërë me dije se misioni i NISMËS për Kosovën është që t’i japin pozicion vlerave dhe ta ndërtojnë shtetin e së drejtës.

“Ne kemi shumë ligje të cilat, po qe se do të zbatoheshin, shoqëria jonë do të ecte shumë më përpara”, është shprehur ai duke shtuar se aktualisht populli është në krizë morale, pasi që besimi i qytetarëve tek pushtetarët ka rënë.