Shteti në panik: Rrezikohet të mbetët pa para deri në fund të vitit

Shefit të buxhetit të Kosovës i ka hyrë frika se shteti do të mbetet pa para deri në fund të vitit. Ministri i Financave, Avdullah Hoti është në hall se si t’i sigurojë mjetet që i mbulojnë shpenzimet për paga, investime kapitale e shpenzimet tjera të parapara në buxhetin e vitit 2015.

Lajme

25/04/2015 11:52

E më i shqetësuar është me borxhet e ministrive dhe komunave që kanë mbet pa u par një vit më parë. Janë plotë 165 milionë euro të cilat kompanitë e ndryshme dhe qytetarët po ia kërkojnë shtetit për punët që i kanë kryer kryesisht gjatë fushatës zgjedhore.

Gazeta Fjala mëson se prej tyre 148 milionë euro janë borxhe të institucioneve të nivelit qendror, ndërsa 17 milionë euro nga komunat. Ministria e Mjedisit dhe ajo e Bujqësisë janë dy borxhlinjtë më të mëdhenj.

Të hyrat nga Dogana dhe Administrata Tatimore duket se nuk do të jenë të mjaftueshme për përmbyllur vitin me bilanc pozitiv.

“Vlera e borxheve të krijuara nga organizatat buxhetore gjatë vitit të kaluar është 165 milion euro dhe këto obligimi janë shqetësuese edhe për ministrin e financave Avdullah Hoti”, ka thënë Hoti.

Për shkak të kësaj situate, sipas ministrit, Qeveria ka marrë masa që asnjë organizatë buxhetore të mos mund të krijojë shpenzime në rast se ato nuk janë të reflektuara në buxhet.

“Asnjë tender nuk mund të hapet nga Komisioni Rregullativ i Prokurorimit Publik nëse nuk merret miratimi prej thesarit dhe buxhetit se ka mjete”, ka thënë i pari i financave në vend.

Lista e Borxhlinjëve

E më së shumti para duhet tu paguhen banorëve të komunës së Obiliqit për shpronësim të tokave nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Sipas të dhënave të siguruara nga Gazeta Fjala kjo ministri u ka borxh banorëve 114.3 milionë euro, të cilat pagesa duhet të kryhen gjatë këtij viti.

“Shuma prej 114,390,657 e raportuar nga MMPH përfshinë vendimet e shpronësimit për pronat private në shumë prej 50,662,994 Euro, pronat publike në shumë prej 15,503,859 Euro, pronat shoqërore në shumë prej 47,635,804 Euro”, thuhet në raportin që posedon Gazeta Fjala.

Ministria e Bujqësisë është institucioni tjetër me shumën më të madhe të borxheve të pa paguara për fermerët. Kjo ministri nuk ua ka paguar 18 milionë euro fermerëve për vitin 2014.

Ndërkaq, prej komunave, Gjakova prinë sa i përket borxheve të pa paguara nga viti i kaluar me 3 milionë euro.

Hiq më mirë nuk është Prizreni e Gjilani të cilat komuna kanë nga më shumë se 2 milionë euro borxhe të pa paguara./Gazeta Fjala/

borxhet-1

borxh-2

borxh-3