Shteti fsheh faturat e shpenzimeve për 10-vjetorin e Pavarësisë

Shteti po refuzon t’u tregojë qytetarëve taksapagues se si i shpenzoi 600 mijë euro për festimet e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Lajme

26/05/2018 13:54

Po arsyetohen se ende nuk i kanë mbledhur të gjitha faturat, ani se tashmë kanë kaluar 100 ditë nga festimet.

Zyra e Presidentit, brenda se cilës ka funksionuar këshilli organizativ, ka thënë se nuk merren me financa. Ministritë, nga ana tjetër kanë hedhur përgjegjësitë nga njëra tek tjera.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 13 shkurtit kishte ndarë plotë 600 mijë euro për të gjitha organizimet. Mjetet ishin ndarë nga kategoria e shpenzimeve të rezervave.

Gazeta Insajderi, përmes kërkesave për qasje në dokumente publike ka kërkuar të dijë si janë shpenzuar këto para, mirëpo institucionet ende nuk kanë ofruar faturat e shpenzimeve.

Fillimisht me 20 shkurt, një kërkesë zyrtare Gazeta e ka dërguar në zyrën e Presidentit.

Me 27 shkurt, zyrtari për qasje në dokumente, Gentrit Zeqiri  ka kthyer një përgjigje, sipas të cilës Zyra e shefit të shtetit nuk e ka menaxhuar fondin.

“Kërkesa juaj e dërguar me 20 shkurt 2018 është shqyrtuar dhje ju informojmë se zyra e presidentit nuk menaxhon me fondin për shënimin e dhjetëvjetorit të pavarësisë”, thuhet në përgjigje.

Sipas Ligjit për qasje në dokumente, institucioni që e pranon kërkesën e që ka njohuri se kush mund të jap përgjigje konkrete, duhet ta përcjell kërkesën te institucioni dhe zyrtari përkatës.

Për këtë obligohet nga neni 7  i Ligjit në të cilin flitet rreth përpunimit të kërkesave për qasje në dokumente zyrtare.

Saktësisht pika 2 e tij thotë: “Nëse institucioni publik nuk posedon, nuk disponon ose nuk e mbikëqyrë informatën, e ka njohuri për organin gjegjës, resorin e tij ose institucionin tjetër, menjëherë ose më së voni pesë (5) ditë pune, nga dita e pranimit të kërkesës me shkrim të kërkuesit, është i detyruar që kërkesën t’ia përcjellë organit gjegjës ose sektorit të tij, i cili e posedon, disponon ose e mbikëqyrë informatën”.

Zyra e Presidentit brenda së cilës ka funksionuar këshilli organizativ për shënimin e dhjetëvjetorit nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Insajderi, të njëjtën kërkesë i ka drejtuar edhe Ministrisë së Financave dhe Protokollit të Shtetit.

Të dyja institucionet janë përgjigjur se nuk kanë menaxhuar këtë fond. Ministria e Financave kërkesën e ka përcjellë te Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, e cila ka sipas tyre ka menaxhuar fondin e ndarë nga Qeveria.

Me 6 mars Insajderi ka marrë një përgjigje nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit se kanë pranuar kërkesën për qasje në këto shpenzime, por nuk është prezantuar raporti i shpenzimeve.

Arsye për këtë ishte thënë se janë mospagesat e tërësishme të të gjitha faturave.

“ Ministria e Financave na e ka përcjellë një kërkesë për qasje në dokumentet publike lidhur me shpenzimet për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë MKRS.

“Ju njoftojmë se ende jemi në procesin e pagesave. Derisa të bëhet përfundimi i tërësishëm i pagesave nuk mund t’u ofrojmë ndonjë përgjigje apo raport”, thuhej në përgjigje.

Edhe pas dy muajve nga kjo përgjigje, në këtë ministri nuk ofruar dokumentet e shpenzimeve.

Osman Gashi udhëheqës i Divizionit për Komunikim në ministrinë e Kulturës, thotë se nuk ka ende një raport final për shpenzimet.

Sipas tij,  ende ka fatura që nuk janë dorëzuar nga operatorët.

“Lidhur me pyetjen tuaj për shpenzimet e dhjetëvjetorit të pavarësisë, ende nuk është hartuar raporti final sepse ende ka fatura që nuk janë dorëzuar nga operatorët. Në momentin që hartohet ky raport do t’ua përcjellim”, thuhet në përgjigjen e Osman Gashit.