Shtëpia e Bardhë paralajmëron ndryshime në regjimin e vizave, shkak sulmet terroriste

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar për një seri të ndryshimeve në regjimin e vizave amerikane, në mënyrë që të fusë nën kontroll më të mirë udhëtarët nga 38 vendet që hyjnë në SHBA pa viza, raporton Reuters.

Bota

30/11/2015 21:16

Ndryshimet e shpejta janë si rezultat i sulmeve terroriste të ISIS në Paris, që padyshim se kanë rritur shqetësimet e sigurisë në mesin e amerikanëve, transmeton lajmi.net.

“Departamenti i Sigurisë Kombëtare do të mbledhë informacione nga udhëtarët për vizitat e tyre të mëparshme “vendet që cilësohen si strehë për terroristët”, por do të diskutojë edhe pilot programin për mbledhjen e informacioneve biometrike, siç janë shenjat e gishtërinjve të pasagjerëve që hyjnë në SHBA pa viza”, thuhej në një komunikatë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

Ministria do të kërkojë autorizim shtesë nga Kongresi, duke përfshirë autorizimin që të ndëshkojë me të holla aviokompanitë që nuk i kontrollojnë të dhënat e pasaportave.