Shtëpia e Bardhë: Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet

​Një deklaratë nga zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë të dielën konfirmoi se “Izraeli është një aleat i vendosur i Shteteve të Bashkuara.” Në deklaratë thuhet se Amerika mbështet të drejtën e këtij vendit për t’u vetëmbrojtur nga forcat siriane dhe grupet paraushtarake, të mbështetura nga Irani në Sirinë jugore.

Bota

11/02/2018 23:40

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë i bëri thirrje “Iranit dhe aleatëve të tij të ndërpresin veprimet provokuese dhe të punojnë drejt paqes rajonale”.

Deklarata pason sulmin e Izraelit të shtunën kundër një duzinë objektivësh iranianë dhe sirianë në Siri.

Izraeli i kreu sulmet ajrore pasi një avion i tij ushtarak u rrëzua nga goditjet. Avioni po kthehej nga një operacion sulmues kundër pozivioneve të grupeve luftarake të mbështetura nga Irani në Siri. Më parë, Izraeli pati thënë se kishte rrëzuar një dron iranian të nisur nga Siria, pasi kishte hyrë në territorin izraelit në orët e vona të së premtes.

“Unë fola një orë më parë me presidentin rus Vladimir Putin. I përsërita atij të drejtën dhe detyrën tonë për t’u vetëmbrojtur kundër sulmeve të drejtuara kundër nesh nga territori sirian. Kemi rënë dakord që koordinimi i sigurisë midis forcave tona ushtarake të vazhdojë. Bisedova gjithashtu me Sekretarin amerikan të Shtetit Rex Tillerson rreth zhvillimeve të fundit dhe zhvillimeve të tjera rajonale. Dua ta bëj të qartë: Izraeli kërkon paqen. Por ne do të vazhdojmë të vetëmbrohemi me vendosmëri ndaj çdo sulmi kundër nesh, ndaj çdo përpjekjeje nga ana e Iranit për të depërtuar ushtarakisht në Siri apo në ndonjë vend tjetër,” tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Në sulmin e së shtunës, një avion izraelit F-16 u rrëzua nga Ushtria Siriane.

Pilotët izraelitë ishin në gjendje të hidheshin me parashutë nga avionët e tyre, thanë Forcat Izraelite të Mbrojtjes (IDF).

Media shtetërore siriane njofton se Siria po i përgjigjet “agresionit të ri izraelit”, pas sulmit.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Gjeneral Brigade Ronen Manelis, tha se “Irani po e tërheq rajonin në një situatë së cilës nuk i dihet fundi. Ne jemi të përgatitur për një sërë incidentesh… kushdo që është përgjegjës për këtë incident është ai që do të paguajë çmimin”. /VOA/